Shefi i NATO-s kërkon forcimin e kontrollit mbi armatimet moderne

Nga Exit News
Shefi i NATO-s kërkon forcimin e kontrollit mbi armatimet moderne

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u bëri thirrje aleatëve dhe partnerëve të hënën të modernizojnë regjimin e kontrollit të armëve.

Duke folur në konferencën vjetore të NATO -s për kontrollin e armëve në Kopenhagen, Stoltenberg paralajmëroi se bota “po bëhej me shpejtësi më e paparashikueshme, më konkurruese dhe më e rrezikshme” pasi disa fuqi bërthamore po “injoronin ose thyen haptazi rregullat globale dhe përhapin teknologji të rrezikshme”.

“Rusia vazhdon të injorojë dhe të shkelë rregullat” duke modernizuar arsenalin e saj me raketa të reja balistike, të lëshuara nga ajri ose raketa lundrimi me energji bërthamore, deklaroi ai.

Stoltenberg shënjestroi Kinën, e cila po zgjeron kapacitetet ushtarake, duke ndërtuar raketa “pa asnjë kufizim ose pengesë dhe në mungesë të plotë të transparencës” sipas tij.

Ai tha se një regjim modern i kontrollit të armëve duhet të përfshijë më shumë vende, veçanërisht fuqi globale si Kina.

Ai shprehu kritika edhe ndaj Koresë së Veriut dhe Iranit gjithashtu.

Ai u bëri thirrje aleatëve të ruajnë dhe forcojnë Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT) në konferencën e ardhshme të rishikimit, si dhe të modernizojnë të gjithë regjimin e kontrollit të armëve.

Sipas Stoltenberg, Traktati i rishikuar duhet të adresojë armët jo strategjike dhe llojet e reja të “teknologjive në zhvillim dhe shkatërruese, të tilla si platformat autonome dhe inteligjenca artificiale”.

Duke cituar shkeljet e marrëveshjeve të kontrollit të armëve nga Rusia, sekretari i përgjithshëm gjithashtu vuri në dukje rëndësinë e një përgjigjeje të unifikuar dhe të fortë nëse traktatet e kontrollit të armëve shkelen.

NPT është një traktat i rëndësishëm ndërkombëtar, në fuqi që nga viti 1970, që synon të parandalojë përhapjen e armëve bërthamore dhe teknologjinë e armatimeve, si dhe të promovojë bashkëpunimin në përdorimet paqësore të energjisë bërthamore. Janë 191 vende gjithsej që i janë bashkuar deri më tani traktatit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>