
Silvana Bala, shefe e Pneumologjisë në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ shprehet optimiste për situatën dhe thekson se numri i ulët i viktimave në vend tregon se mjekët dhe infermierët po bëjnë maksimumin për të luftuar Covid-19.
Në një video-mesazh publikuar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ajo tregon se në fillim mjekët menduan se do të kishte një valë më të madhe të infektuarish, por tani duket se situata është nën kontroll:
“Fillimisht u mendua se do ishte një valë e madhe pacientësh. Fatmirësisht masave të marra, kondicioneve të krijuara në spitalin tonë, kjo punë u përballua me sukses. Dhe them se do e përfundojmë me sukses. Puna jonë, e mjekëve, e infermierëve, e sanitareve, ka qenë në unitet të plotë.”
Si pjesë e spitalit Shefqet Ndroqi, tashmë spital Covid 2, Dotoresha Bala tregoi për protokollet që ndiqen tek të sëmurët:
“Kemi zbatuar të gjitha protokollet e aprovuara nga OBSH. Këto protokolle ishin të rrufeshme, të sakta, të komunikuara, qoftë për sëmundjen COVID-19, qoftë për komplikacionet e tyre si pneumonitë.”
Deri tani në Shqipëri ka 766 të infektuar me Covid-19, prej të cilëve 30 kanë humbur jetën.
Në spitalin Covid 2, janë të shtruar 7 pacientë.