Shembja e Teatrit Kombëtar është rikthyer sërish në diskutim pasi shumica socialiste ka vendosur të miratojë sa më parë dekretin e presidentit Meta, me disa ndryshime të miratuara një ditë më parë në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese.
Në këtë situatë, kur duket se Kryeministri Rama dhe Kryebashkiaku Veliaj janë të vendosur të nisin sa më parë shembjen e teatrit dhe rizhvillimin e zonës duke ndërtuar kulla, analisti Fatos Lubonja u shpreh se e vetmja zgjidhje është rezistenca fizike:
“Këta nuk duket se kanë ndërmend të ndërrojnë mendje, dhe duan ta shembin [Teatrin] siç bënë me stadiumin. Duhet rezistencë fizike. Duhet përballje.
T’i dilet përpara fadromave, dhe çfarë do bëjnë pastaj?! Do të vrasin njerëzit?! Kjo është fatkeqësi padyshim, por kështu është kur përballesh me regjime të tilla.”
Zoti Lubonja komentoi dhe mbi letrën e Komisionit Evropian, që i bëri thirrje qeverisë Rama të hapë garë publike për projektin e teatrit të ri:
“Te ne nuk funksionon demokracia, por ndërkombëtarokracia. Këtu nuk vepruan të gjitha institucionet tona, por një letër nga KE e ndaloi këtë process për teatrin. Pra, u desh një ndërhyrje e Brukselit që të ndalonte këtë akt “korrupsioni të pastër” – sikundër thuhet se e ka cilësuar (jo publikisht) edhe një diplomat i lartë, mbështetës i qeverisë. Ky test provoi se i vetmi institucion që funksionuaka për të korrigjuar e kontrolluar maxhorancën shqiptare qenkan ndërkombëtarët. Por a mund të quhet kjo demokraci? Kurrsesi jo.”