Sistemi i sotëm zgjedhor e ka feudalizuar politikën shqiptare. Ky sistem në qendër të tij ka partinë dhe jo qytetarin, duke i dhënë partisë më shumë pushtet, rëndësi dhe komfort sesa qytetarit, ndërsa duhet të ishte e kundërta.
Përfaqësimi politik i qytetarëve sipas sistemit zgjedhor aktual nuk është organik, por i rastësishëm dhe kryhet në tavolinë pa transparencë. Partia, ose kryetari i partisë i imponohet qytetarit dhe jo anasjelltas.
Që nga 2008 e deri tani është dobësuar nevoja për ta rritur cilësinë e përfaqësimit politik në shërbim të qytetarit, ndërsa inkurajohet rritja e cilësisë së bindjes ndaj kryetarit të partisë – gjithnjë e më dukshëm Kuvendi i Shqipërisë është mbushur më personazhe që variojnë nga kriminalë në qesharakë, siç kemi parë sidomos nga 2013 e deri tani. Është ky sistem zgjedhor, mjeti përmes të cilit është kriminalizuar politika dhe vendimmarrja politike shqiptare dhe jo e kundërta.
Sistemi i sotëm zgjedhor i ka çuar raportet e brendshme të forcave politike në të njëtat nivele feudale absolutiste të para revolucionit francez, pra ato të mbretit me vasalet e vet. Sot në Shqipëri kemi parti me organizim të brendshëm monarkik, por që premtojnë të lartësojnë republikën.
Sistemi i sotëm elektoral dekurajon çdo proçes të republikanizimit të partive politike në Shqipëri, pra partitë politike nuk kanë asnjë presion së jashtmi (nga sistemi) të ndryshojnë sjelljen e tyre, sidomos sa i përket proçesit të hartimit të listave të përfaqësuesve, gjithnjë e më shumë të përqëndruara në një ose pak duar.
Avancimi në karrierën politike brenda partive është në proporcion të drejtë me gadishmërinë për të mos trazuar këto ujra, çka do të thotë se edhe së brendshmi mungon presioni për ta ndryshuar këtë sistem zgjedhor që kemi.
Kjo gjë sjell rëndom një situatë e cila rëndom përkufizohet nga qytetarët, qofshin këta edhe militantë si mungesë fryme.
Aktualisht, qytetari nuk ka asnjë mundësi reale të transmetojë vullnetin e vet në kompozimin e përfaqësimit politik; nuk ekziston nje lidhje mes zgjedhësve dhe të zgjedhurve dhe as mundësi për përgjegjshmëri të të zgjedhurve ndaj zgjedhësve.
Përfaqësimi politik krijohet si një vullnet subjektiv i natës së fundit. Kjo e ka bërë shitjen e votës një fenomen natyral që prevalon dhe që është pothuaj i pamundur të kundërpeshohet nga çdo teknikalitet ligjor e procedurial që mund të sajohet për ta ndaluar atë.
Ky sistem zgjedhor ka krijuar mundësinë e korporatizimit të thellë të partive shqiptare, kur një grup i vogël njerëzish, uzurpon një forcë politike dhe i imponon asaj individë besnikë të grupit edhe pse pa lidhje me vetë forcën politike – modeli politik tipik, i riprodhueshëm lehtësisht në çdo parti tjetër politike shqiptare, është Rilindja dhe Partia Socialiste, dy entitete të dallueshme nga njëra tjetra, si uji me vajin në një enë, edhe pas 7 vitesh në pushtet. Simptomat e shtrirjes së kësaj skeme janë tashmë të lexueshme nga të gjithë.
Preferenca ime është mazhoritari i pastër; e kam shprehur këtë me shkrim që në qershor të vitit 2013 – Me Kundratabelë, MAPO.
Nuk e di a është hedhur ky opsion në tavolinën e Këshillit Politik të krijuar në 14 Janar 2020, por me ç’duket as ja ka ndjerë ndokujt.
Me afrimin e afatit të fundit për punën e Këshillit Politik, natyrshëm është shtuar dhe debati rreth sistemit zgjedhor, debat i cili, siç mund ta kuptoj, nga njëra anë ka njerëz që duan ta ndryshojnë sistemin dhe nga ana tjetër ka njerëz që thonë se nuk është problem sistemi, por kriminalizimi i zgjedhjeve dhe vjedhja e votës.
Sistemi zgjedhor është një çështje shumë serioze. Sidomos në shoqëri me kulturë vertikale osmano-komuniste, despotike si kjo e jona. Sepse është një mjet për ta ndryshuar këtë kulturë tonën, ky qytetari ka mbetur bishti i kavallit.
Sistemi zgjedhor duhet të përmbushë dy detyra: 1) qytetarët të kenë mundësi të shprehin vullnetin e tyre me votë; dhe 2) vota e tyre të lexohet me besnikëri. Plotësimi i këtyre 2 detyrave bën që përfaqësimi politik dhe qeverisja të jetë shprehje besnike e vullnetit të qytetarëve.
Pra, sipas meje, detyra e parë që sistemi zgjedhor duhet të përmbushë, është të garantoje që në momentin e votimit ekzistojnë të gjitha mundësitë që vullneti i qytetareve të mund të transmetohet besnikërisht në përfaqësim politik. Ky sistem zgjedhor që kemi nuk e bën këtë!
Ky sistem zgjedhor, i ngjizur në 2008, e fut në kurth qytetarin duke e detyruar të votojë listën e kryetarit. Ky sistem zgjedhor që kemi le jashtë, të papërfaqësuar, elektoratin gri ose e detyron atë të votojë jashtë dëshirës, preferencës së vet.
Pra, vota nuk është më e lirë, por është me detyrim përcaktim. Ky është manipulimi i parë i votës së qytetarëve shqiptarë. Këtë manipulim e mundëson sistemi zgjedhor që kemi, i cili vullnetin e qytetarëve e transformon si me magji në vullnetin e kryetarëve.
Vetëm pas këtij manipulimi kemi manipulime të tjera, siç janë fjala vjen çunat problematik të dosjeve 189, 339, blerja e votës, leximi sipas qejfit të komisionerëve të votës në kuti etj etj.
Duke ruajtur këtë sistem që kemi garantojmë që vota e shqiptarëve nuk do shprehë vullnetin e tyre, por atë të kryetarëve të partive. Këto vullnete mund të ndodhë ndonjëherë që edhe të përputhen, por kjo nuk ka arsye dhe incentiva të qënësishme pse të ndodhë.
Nëse duam që të jetë vullneti i shqiptarëve ai që krijon përfaqësimin politik në këtë vend duhet ta ndryshojmë këtë sistem në favor të një tjetri që e mundëson më shumë këtë.
Nëse e transferojmë diskutimin tek vjedhja e votes, dhe leximi jo korrekt i saj, atëhere ky debat, kjo luftë që po zhvillohet nuk bëhet për të lexuar me besnikëri sa më të lartë vullnetin e shqiptarëve, por thjesht për të lexuar me besnikëri sa më të lartë vullnetin e kryetarëve.
Ndaj më vjen të them se nëse siç duket nuk do arrijmë ta ndryshojmë këtë sistem zgjedhor produkti i punës disamujore të Këshillit Politik nuk është Reformimi i Sistemit Zgjedhor, por thjesht Depilimi i Sistemit Zgjedhor.