Shërbimi i Strokut në Neurologji në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të mbajë emrin e mjekut Drini Dobi.
Dobi humbi jetën si pasojë e COVID-19 në moshën 51 vjecare. Drini Dobi ishte njëri ndër mjekët neurologë më të mirë në Shqipëri. Ai punoi për më tepër se dy dekada në QSUT dhe prej dy vitesh drejtonte Shërbimin Neurovaskular aty.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu përmes një video live njoftoi lajmin.
Së bashku me mjek dhe familjar të tij, ministrja ishte në Shërbimin e Neruologjisë ku u mbajt ceremonia në nder të Dobit.
“Në nderim të një shërbyesi të denjë për bluzën e bardhë e një njeriu të rrallë”, shkroi ministrja.
Kolegët dhe të afërmit e mjekut mbajtën fjalën e tyre ku folën për “punën e pa lodhur të mjekut”.
“Drini Dobi ishte një njeri, që e gjeje kudo në spital. Atij iu dedikua 100 për qind profesionit. Drini dhe të gjithë mjekët e kthyen në mision, për të mposhtur Covid. Drita në fund të tunelit është më e qartë se asnjëherë”, tha Manastirliu.
Mjeku Drini Dobi ndërroi jetë në Itali, ku ishte dërguar për kurim pas rëndimit të shëndetit në spitalin publik.
Kolegë brenda e jashtë vendit dhe gazetarë bënë thirrje për dhurim të hollash për mjekun neurolog, pasi gjendja e tij u rëndua si pasojë e koronavirusit.
Brenda një dite u dhuruan rreth 18.000 euro, një nisje shumë inkurajuese për arritjen e qëllimit të vënë prej 50.000 eurosh.
Qeveria shqiptare njoftoi se do ta mbështeste financiarisht kurimin e neurologut.
Fatkeqësisht ai nuk mundi të mbijetonte, duke lënë hidhërim mes familjes dhe të afërmve.