
Një pacient me koronavirus në Repartin e Infektivit në Tiranë është shëruar plotësisht. Sot edhe analiza e dytë për të doli negative, çka tregon se ai është plotësisht i shëruar.
Ai është kontakti i parë i pacientit zero, babai i personit të parë të identifikuar me koronavirus në Shqipëri.
Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri Rama.
Babai i djalit 29-vjeçar rezultoi pa koronavirus edhe dy ditë më parë, por nevojitej një analizë e dytë për ta konfirmuar zhdukjen e virusit.
Një pacient tjetër është në pritje të rezultatit të analizës së dytë, pasi në të parën ka rezultuar i shëruar, pa koronavirus.