Në këto ditë të janarit të ftohtë zor se ndonjë shqiptar e ka mendjen tek plazhi apo një mohito buzë detit. Ditët gri e të ftohta të fillimvitit duken të zymta e të avashta për këdo. Por jo për një Rilindas vizionar e largpamës. Specilisti i rilindjeve nuk e ka të vështirë që nga qielli i errët e moti i trishtë të rilindë kaltërsinë, harenë dhe gazin.
Po edhe po nuk i rilindi dot këtu, ato janë vetëm një avion larg. Ndërkohë, për gjërat banale të atdheut të mbushur me njerëz dembelë e pa shije kujdeset Niko me Benin.
E kështu, mëngjesi e gjeti atë në rezortin më luksoz të Majamit. Pasi mbaroi qokën te ai miku i familjes, nisi të bëhej gati për pak rreze dielli. Florida në Janar është e mbushur me figurat më të mëdha të botës, artistë, sportistë, politikanë që vinë të marrin ca rreze e gjallëri nga çdo cep i botës. Nuk mund të pretendosh të jesh dikushi në botë e të mos dukesh një herë të vetme shëtitje me breçka nëpër plazhet e Majamit në Janar.
Ndaj ai ishte përgatitur deri në detaje që në Tiranë. Rrobat e banjo të verdhë të ndezur, në pjesën e pasme të tyre kishte stampuar atë kërpudhën treshe që simbolizon qeverisjen, kapele me strehë ndriçuese të dizenjuar enkas nga Parreno, syze me skelet shumëngjyrësh.Vepër arti nga koka tek këmbët. Që ta kuptonin që ishte piktor, mori me vete ca fletë kalendari e shkresa zyre e lapsat ngjyra-ngjyra.
Nga forca e zakonit, nuk lexoi as gazeta, nuk hapi as televizorin pasi alergjia për median e ndjek edhe jashtë kufijve. Dhe duke mos pasur as Saimirin e as Beson me vete këtë herë, nuk e kishte marrë vesh që jashtë binte shi. Kishte dëgjuar ca amerikanë që flisnin për “it’s raining cats and dogs” po kishte menduar që amerikanët idiotë për qen e mace flasin gjithë kohës, ngaqë anglishten e njeh siç njeh kaubojsi shqipen, pa frazeologji e metafora. Bëri jashtë hotelit por shiu i lagu menjëherë kërpudhën mbi rrobat e banjës. Vendosi të bënte një selfi e pastaj t’ja fuste sipër me bojra me ngjyra por ju duk shumë punë.
U nis drejt dhomës i mërzitur, kur befas i rilindi një mendim. Pa pritur të hynte në suitën e tij, i thirri Lindës që nga korridori “paketo urgjent se kam ngatërruar – ai miku që ka sebepin jeton në Bahamas e jo në Majami.”