Komisioni i Ligjeve rrëzoi sot propozimn e opozitës për ndryshimet kushtetuese për emërimin përmes vetingut të prokurorit të ri. Pranimi i propozimit të opozitës do të sillte ndërprerjen e mandatit për Kryeprokuroren e Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku.
Propozimi i opozitës erdhi pas emërimin në mënyrë antikushtetuese të PPP-së Arta Marku, e cila u zgjodh vetëm me votat e shumicës, pa iu nënshtruar vetingut.
Sipas propozimit të opozitës:
“Kryeprokurorin e ri ta kalojmë në vetting dhe ta zgjedhim me tre të pestat e votave në Kuvend. Askush nuk e di nëse Kryeprokurorja aktuale e kalon vettingun. Sapo KLP të ngrihet siç duhet, atëherë zgjedhim Kryprokurorin e përkohshëm. Ky është një test për mazhorancën në qoftë se do drejtësi të pavarur”, u shpreh përpara votimit deputeti demokrat Oerd Bylykbashi.
Por deputetët socialistë, anëtarë të Komisionit të Ligjeve nuk e pranuan këtë propozim. Ato u shprehën se ankesat e PD nuk qendrojnë sepse Arta Marku u zgjodh përmes procedurave transparente dhe ligjore.
Deputeti socialist Alket Hyseni deklaroi se kërkesat e PD janë vetëm pengesa e radhës që opozita po i bën reformës në drejtësi:
“Prokurori sipas kërkesës së PD i bie të zgjidhet në fund të korrikut. Propozimi është thjesht një strategji për të penguar reformën në drejtësi”, — tha ai Hyseni.
Më shumë për zgjedhjen e Prokurores së Përkohshme të Përgjithshme Arta Marku dhe shkeljeve kushtetuese në këtë proces mund të lexoni këtu dhe këtu.