Shkarkohet nga detyra gjyqtarja e Apelit Flutura Skënderi

Nga Exit News
Shkarkohet nga detyra gjyqtarja e Apelit Flutura Skënderi

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi sot nga detyra gjyqtaren e Apelit Tiranë, Flutura Skëndëri, për shkak të problemeve me pasurinë.

Vendimi u mor nga Pamela Qirko, Lulzim Hamitaj dhe Valbona Sanxhaktari.

Gjatë hetimit administrativ, gjyqtares iu gjetën pasaktësi në deklarimet e pasurisë dhe një balancë negative, pra shpenzime më shumë se të ardhura në vlerën e  2,8 milionë lekëve.

Gjyqtarja nuk kishte deklaruar disa transaksione të kryera gjatë viteve 2004-2005 lidhur me shitjen e një apartamenti dhe shlyerjen e një kredie. Deklarime të pasakta u gjetën edhe për blerjen e shtesës së apartamentit.

KPK ngriti dyshime për situatë të konfliktit të interesit në gjykimin e dy çështjeve, ndaj një kompanie ndërtuese,në pallatet e së cilës Skënderi ka blerë apartamentin e saj.

Sipas Komisionit, Skënderi ka qenë pjesë e trupit gjykues që ka shqyrtuar këto dy çështje në vitet 2015 dhe 2016 dhe nuk ka deklaruar gjendjen në situatën e konfliktit të interesit, pavarësisht se ka qenë në marrëdhënie kontraktuale me shoqërinë ndërtuese. Kjo shoqëri ndërtuese ka qenë dorëzanëse edhe për një kredi që ka marrë gjyqtarja Skënderi.

Gjyqtarja i mohoi këto gjetje duke thënë se me kompaninë ndërtuese i kishte mbyllur marrëdhëniet në vitin 2009, ndërsa gjyqi ka qenë në vitet 2015-2016.

Gjyqtarja Skënderi u vlerësua pozitivisht për pastërinë e figurës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>