Në shtator 2016, 80 nxënës të shkollës Petro Poga në Valare të Gjirokastrës, me mbështetjen prindërve, bojkotuan procesin mësimor. Drejtoria arsimore e rrethit u hoqi transportin publik për në shkollë, dhe nxënësit do të duhej të ecnin çdo ditë gjashtë kilometra në këmbë për të shkuar në shkollë. Fëmijët do të duhej të përballeshin çdo ditë me një ecje stërmunduese disa orëshe dhe plot rreziqe.
Në tetor 2017, drejtoria arsimore në Konispol të Sarandës lajmëroi mbylljen e një tjetër shkolle 9-vjeçare, që prekte të paktën 50 nxënës. Qindra banorë të fshatit protestuan për rihapjen e shkollës duke refuzuar të pranojnë që fëmijët e tyre të ecin disa kilometra në këmbë për në shkollën më të afërt në Xarrë. Është domethënëse se në Xarrë, banorët kanë ndërtuar me fondet e tyre katin e dytë të shkollës.
Në shtator 2018, në shkollën 9-vjeçare Myslim Hida, në Arapaj të Durrësit nuk filloi procesi mësimor për shkak të rindërtimit, i cili zgjati për më shumë se një vit—500 nxënësit e shkollës do të duhet të ndjekin mësimin 3 kilometra larg, në një godinë të mbingarkuar. Deri më tani, të paktën 120 nxënës kanë zgjedhur ta braktisin fare shkollën.
Më 24 Shtator, nxënësit e Mengelit në Elbasan protestuan për mos hapjen e shkollës së fshatit të tyre. Godina e shkollës nuk është riparuar ende nga dëmet e një tërmeti që ndodhi një vit më parë, dhe tani nxënësit duhet të ecin më shumë se tre kilometra për në shkollën më të afërt. Në protestë, 300 nxënës të shkollës, së bashku me prindërit, bllokuan rrugën kombëtare Elbasan-Librazhd. Pas disa ditë bllokim, policia ndërhyri me forcë për të liruar rrugën duke ushtruar dhunë mbi fëmijët dhe prindërit e tyre.
Që prej vitit 2016, të gjitha familjet dhe të gjithë sipërmarrjet janë subjekt i taksës së përkohshme për infrastrukturën arsimore. Kjo taksë, ideuar nga Bashkia Tiranë si e përkohshme, sot zbatohet në shumicën e bashkive të vendit. Në Tiranë, çdo familje paguan 1 800 lekë në vit, kurse çdo biznes paguan nga 4 000–37 000 lekë në vit. Më shumë se 90 për qind e bizneseve, të gjithë personat fizikë dhe bizneset familjare, taksimi është i dyfishtë: si biznes dhe si familje.
905 milionë lekë është parashkimi i të ardhurave të Bashkisë Tiranë nga kjo taksë për vitin 2018, thuajse 10 milionë dollarë më shumë në buxhetin vjetor të bashkisë, për tre vjet rrjesht, por përsëri 8 shkolla u mbyllën këtë vit në Tiranë, ndërkohë që dhjetra të tjera kanë mungesa të theksuara në infrastrukturë.
Mbyllja masive e institucioneve të arsimit ku nuk ka mjaftueshëm nxënës ose nuk ka godina dhe infrastrukturë minimale, ka qenë politika zyrtare arsimore këtë vit. 150 shkolla u mbyllën në fillim të vitit shkollor 2018-2019 në gjithë vendin. 130 mijë nxënës duhet të zgjedhin ose të ecin në këmbë me orë të tëra dhe me vështirësi të tjera për të ndjekur shkollën ose ta braktisin fare shkollimin.
UNICEF, në një dokument të vitit 2017, thekson se një pjesë e madhe e fëmijëve në moshën e arsimit bazë kanë dalë jashtë sistemit, për arsye të mungesës së aksesit në shkolla, migrimit, varfërisë dhe mungesës së perspektivës për jetën.
Situata është akoma më alarmante, sepse ka shumë fëmijë që nuk janë identifikuar ende. Në vitin 2003, kishte 1 554 nxënës jashtë sistemit bazë shkollor. Në 2014 ky numër u pesëfishua, duke arritur në 7 097 sipas UNESCO-s. Në vitin 2015, numri u rrit në 11 453 dhe në vitin 2017, në 15 674 nxënës.
Sipas Avokatit të Popullit, mungesa e higjenës dhe infrastrukturës shkollore janë shkaqet kryesore të braktisjes së arsimit parauniversitar në zonat rurale. Ndërkohë koalicioni për arsimin thekson se mbi 20 për qind e fëmijëve jetojnë në varfëri, duke siguruar me vështirësi nevojat jetësore bazë. Kjo kufizon direkt aksesin e tyre në institucionet arsimore. Kjo gjendje, u rëndua për shkak se në 2016, Ministria e Arsimit uli shpenzimet buxhetore për nxënës me 700 lekë, nga 6 200 lekë në 5 500 lekë.
Ministria e Arsimit është përgjegjëse për identifikimin e fëmijëve jashtë shkollimit të detyrueshëm, mbështetur në një sërë treguesish si vijueshmëria, sjellja, mosha, rrethanat familiare, siguria, etj. Në vitin 2015, UNICEF e ndihmoi Ministrinë e Arsimit në këtë drejtim duke dhënë ndihmë teknike për hartimin e udhëzuesit për mbikqyrjen e fëmijëve jashtë sistemit arsimor dhe, në vitin 2016, për hartimin e manualit mbi sistemin e parandalimit të hershëm të braktisjes shkollore.
Por, Ministria ka dështuar në përmbushjen e këtij detyrimi—fondet harxhohen për manuale që as nuk lexohen e as nuk zbatohen.
Duket se nisma e bujshme e Ministrisë “Çdo fëmijë në shkollë”, është kthyer në politikën zyrtare “çdo fëmijë jashtë shkolle”.
Qeveria në fillim heq transportin e nxënësve për në shkollë, veçanërisht atyre të zonave rurale, e më pas ul shpenzimet për arsim. Pastaj, vendos një taksë, përfitimet e së cilës nuk i shërbejnë qëllimit të taksimit. Dhe si për t’i vënë kapakun, në fund qeveria vendos të mbyllë qindra shkolla. Pastaj kur nxënësit dhe prindërit protestojnë, qeveria i dhunon fizikisht dhe psikologjikisht—njerëzit kërkojnë shkollim, qeveria u ofron dhunë.
Çdo qeveri e përgjegjshme e gjendur përballë dukurive të mësipërme do të kishte marrë masa rregulluese dhe parandaluese. Por qeveria e sotme nuk ka ndërmarrë asnjë hap të tillë—dukshëm prirja e saj ka qenë mbyllja e institucioneve arsimore nga jugu në veri.
Në rastin më të mirë, qeveria është e paaftë të menaxhojë gjendjen, në atë më të keqin kjo është një strategji e qëllimshme. Shkollimi është baza mbi të cilën çdo shoqëri ndërton të ardhmen e saj dhe çelësi për zhvillim. Nëse shkatërrojmë arsimin, do të kthehemi në një shoqëri të varfër intelektualisht dhe shpirtërisht.
Akoma më keq: do të jemi një shoqëri e paaftë për t’u vetëqeverisur dhe për të ruajtur lirinë dhe demokracinë. Shkollimi dhe dija është e vetmja garanci që njerëzit nuk do të manipulohen dhe nuk do t’u nënshtrohen autokratëve dhe abuzuesve të pushtetit.