Gjyqtarët shqiptarë kanë paditur qeverinë, pasi kjo u hoqi nga përdorimi pasaportat e shërbimit. Ata kanë kërkuar që qeveria t’ua kthejë pasaportat në përdorim.
Padinë kundër Këshillit të Ministrave e ka bërë në korrik Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, pasi një VKM u hoqi gjyqtarëve të shkallës së parë dhe të apelit të drejtën për të përfituar pasaportë shërbimi.
Gjyqtarët kërkojnë të shpallin të paligjshëm vendimin, me argumentin se ai cenon statusin e gjyqtarëve, që mbrohet me nenin 138 të Kushtetutës.
Reagimi i tyre kundër heqjes së pasaportës së shërbimit vjen në një kohë kur gjyqtarët shqiptarë nuk kanë ngritur asnjë shqetësim për faktin se vendi ndodhet pa Gjykatë Kushtetuese e Gjykatë të Lartë prej gati dy vitesh dhe për mbi 30 mijë dosjet e bllokuara që presin atje.