Kompania franceze Voltalia do të ndërtojë Parkun fotovoltaik të Spitallës të Durrësit. Lajmin e bëri të ditur ministrja e infrastrukturës, Belinda Ballluku.
Në një konferencë për mediat, ajo tha se kjo kompani ka bërë ofertën më të ulët, me 29.89 euro për megavat.
Në garë për ndërtimin e këtij parku ishin 5 kompani, por Komisioni përzgjodhi 2 kompani me ofertën më të ulët, një kineze dhe një franceze.
Më herët, në një ceremoni të mbajtur në kryeministri për njoftimin e hapjes së garës, kryeministri Rama njoftoi se 70 përqind e energjisë diellore të prodhuar do të jetë për tregun e brendshëm.
Ky do të jetë parku i tretë fotovoltaik në vend, pas atij të Karavastas dhe Akërnisë.
Më 31 korrik 2020, qeveria firmosi marrëveshjen me kompaninë franceze ‘Voltalia’ për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Karavastasë, për prodhimin energjisë elektrike përmes paneleve diellore.
Ndërsa në 2018 miratoi ndërtimin e parkut fotovoltaik në Akërni, i cili ka ngecur për shkak të negociatave ende të papërfunduara me kompanitë fituese.