Një vullkan ka shpërthyer në Republikën Demokratike të Kongos ndërsa banorët pranë zonës kanë nisur të evakuohen.
Vullkani ndodhet në malin Nyiragongo, i cili ndodhet 10 km nga qyteti Goma me një popullsi prej dy milionë banorësh.
Mijëra prej tyre janë larguar nga shtëpitë nga paniku, raporton BBC.
Vullkani shpërtheu për herë të fundit në 2002 duke vrarë 250 njerëz dhe duke lënë rreth 120 mijë të pastrehë.
Mali Nyiragongo është një nga vullkanet më aktive në botë. Kishte shqetësime se aktiviteti i tij nuk ishte vëzhguar si duhet nga Observatori i Vullkanit Goma, pasi Banka Botërore shkurtoi fondet mes akuzave për korrupsion.
Shpërthimi më vdekjeprurës i vullkanit ndodhi në 1977, kur vdiqën më shumë se 600 njerëz.