Michael Knodt, eksperti gjerman për politikat e kanabisit, në një artikull për Shqipërinë, tregon për shpërhapjen e kultivimit të kanabisit nga Lazarati në gjithë vendin dhe ndikimin e tij në ekonomi. Më poshtë gjeni disa nga pjesët kryesore të shkrimit të tij:
Në vitin 2014, Shqipëria ishte në qendër të mediave ndërkombëtare si vendi i vogël që furnizonte Evropën me kanabis. Atë vit, policia u fut në Lazarat, fshatin malor ku prodhohej kanabisi, e për tre ditë “luftuan” me fermerët lokalë. Saimir Tahiri, ministri i Brendshëm, premtoi se do të bënte gjithçka për të zhdukur kultivimin e kanabisit në Lazarat.
Megjithëse polica kontrollon vazhdimisht Lazaratin, bima e ndaluar mbetet ende faktori më i rëndësishëm ekonomik në vendin e varfër.
Ndonëse në dispozicion të publikut janë vetëm të dhënat për numrin e plantacioneve të zbuluara, që nga 2014-ta, kultivimi i kanabisit është rritur ndjeshëm në zonat e thella, veçanërisht në jug, në afërsi të kufirit me Greqinë.
Vitin e shkuar, njësitë e anti-drogës pretendojnë se zhdukën 2,3 milionë rrënjë kanabis në 1250 aksione dhe shpallën 250 të dyshuar. Vlera në treg e kësaj sasie droge shkon në 3,5 miliardë euro, ose përafërsisht sa gjysma e buxhetit të shtetit shqiptar.
Për vite, politikanët shqiptarë kanë akuzuar njëri-tjetrin se kanë përfituar nga kultivimi i kanabisit, ndaj e kanë lejuar atë fshehurazi.
Pak ditë më parë, qeveria shqiptare lajmëroi shkarkimin e ministrit Tahiri, i akuzuar shpeshherë i akuzuar për lejim të shpërhapjen e kanabisit nga Lazarati në të gjithë vendin. Ish-shefi i sektorit të Antidrogës në Fier dhe ish-shef hetimi në Drejtorinë e Kufirit në Vlorë, Dritan Zagani, u arrestua në vitin 2015 nën akuzën e korrupsionit. Ai pohoi se Tahiri është pjesë e rrjetit të fshehtë të trafikut të drogës. Ndërkhë Dritan Zagani ndodhet në Zvicër, ku ka kërkuar azil politik. Saimir Tahiri i ka mohuar të gjithë këto akuza.
Italia dhe Greqia, tregjet më të mëdha
Shumica e të korrave të kanabisit shqiptar trafikohet në vendet fqinje. Kushdo që ble kanabis në tregun e zi në Itali apo Greqi zakonisht ble “lulen” shqiptare. Më parë, të rinjtë grekë tërhiqnin thasët me kanabis nëpër male, ndërsa sot pjesa më e madhe e të korrave transportohet me anije në brigjet italiane e greke. Nga atje, më pas kanabisi mund të transportohet në çdo vend të zonës Shengen. Për shumë vite, hetuesit tatimorë italianë dyshojnë se mafia është përgjegjëse për transportin, logjistikën dhe rishitjen e kanabisit shqiptar në tregjet evropiane.
Në vitin 2013, prodhimi vjetori i kanabisit në Lazarat u vlerësua rreth 900 ton me një vlerë totale prej 4,5 miliardë euro. Vlerësimi u bë nga forcat ajrore italiane.
“Lazarati prodhon 900 ton marihuanë në vit, kryesisht të varieteteve holandeze, sasi e cila sjell fitim prej 4,5 miliardë eurosh,” deklaroi për mediat Denovive Stefano Bostoni, kreu i Forcave Ajrore italiane. Përveç Lazaratit, ai përmendi dhe katër rajone të tjera të rëndësishme për kultivimin e kanabisit: Vlora, Shkodra, Tirana dhe Durrësi.
Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) është e pranishme në Shqipëri që prej vitit 1998, por nuk ka publikuar asnjëherë të dhëna zyrtare për sasinë e kanabisit të prodhuar në vend. Megjithatë, vëzhguesit konfirmojnë se kultivimi i lëndës narkotike është rritur, duke u shpërndarë në zonat e thella. Me përjashtim të disa zonave, i gjithë vendi është me klimë të përsosur mesdhetare për kultivimin e kanabisit. Ky fakt është konfirmuar dhe nga operacionet me helikopter të policisë në kërkim të plantacioneve të kanabisit në gjithë zonën jugore.
Kanabisi në Shqipëri
Kanabisi është i paligjshëm në Shqipëri, por nëse kapesh me “me një doze për përdorim personal” të substancave të paligjshme, përfshirë dhe kanabisin, mund edhe të mos dënohesh. Për kultivimin dhe tregtimin e kanabisit, ligji parashikon dënim me 5 deri në 15 vite burg.
Pesë gram kanabisi të një cilësie të ulët kushtojnë 4-8 dollarë në tregun e zi,
Paqëndrueshmëria e përhershme socio-ekonomke pas rënies së komunizmit, ka bërë që kanabisi të jetë burimi më i rëndësishëm i të ardhurave për “bujqësinë” shqiptare.
Rastet e Meksikës dhe Marokut kanë dëshmuar se kultivimi i kanabist nuk mund të çrrënjoset me njësi speciale, helikopterë apo masa të tjera represive, për sa kohë substanca e paligjshme është baza e ekonomisë së zonave të caktuara, apo e të gjithë shtetit.