Shqipëria bllokon kthimin e emigrantëve nga Greqia, do të lejohen vetëm ata në emergjencë

Nga Exit News
Shqipëria bllokon kthimin e emigrantëve nga Greqia, do të lejohen vetëm ata në emergjencë

Rreth 60 emigrantë që duan të kthehen në Shqipëri protestuan të enjten në pikën kufitare të Kakavijës. Mbyllja e kufirit me Greqinë, si masë parandaluese për përhapjen e koronavirusit i ka lënë ata pa zgjidhje.

Shqiptarëve që duan të kthehen, pala greke u ka lënë të kalojnë kufirin, por prej mesditës ata janë bllokuar të kalojnë kufirin shqiptar.

BallkanWeb raportoi se në shenjë proteste emigrantët bllokuan në zonën neutrale kalimin e kamionëve. Shumica ankohen se nuk kanë para të qëndrojnë në Greqi dhe për këtë kërkojnë që të kthehen.

Në mesjavë shteti grek shtyu me 5 muaj lejeqendrimet e emigrantëve, ndërsa Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi se askush nuk do të penalizohet për shkeljen e vizave tremujore.

Kjo masë ndikon te rreth 200 mijë emigrantë dhe te rreth 3000 vizitorë me regjim tremujorësh vizash.

Rama kërkoi që shqiptarët të mos lëvizin, por në kushtet ku sektori i ekonomisë është paralizuar për shkak të epidemisë, qendrimi në Greqi bëhet i papërballueshëm për shumë emigrantë.

Euronews raportoi se kthimi i tyre nuk duhet të bëhet në mënyrë vetjake, por me organizim dhe leje nga konsullata shqiptare në Greqi.

Autoritetet thuhet se u kanë vënë në dispozicion një autobus që të kthehen në qytetet ku banojnë, ndërsa ata që janë në kushte emergjence të pajisen me leje nga konsullata.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>