Tema e ngritjes së mureve në kufij për të ndaluar një “pushtim” nga refugjatë politikë dhe ekonomikë—gati të gjithë nga zona ku jeta është e rrezikuar nga konfliktet e armatosura ose nga qeverisje tribale ose ekstremiste—po dominon takimet diplomatike dhe mediat europiane e më gjërë.
Çështja është shumë komplekse dhe po kërcënon vetë ekzistencën e Bashkimit Europian, i cili mund të përjetojë tensione të brendshme politike të një niveli të atillë sa mund të nxisin shpërbërjen e BE-së.
Në këtë kontekst, për qeverinë Rama po afrohet një test me të vërtet shumë i vështirë, veçanërisht nëse kihen parasysh aftësitë e tij reale në politikën e jashtme.
Fluksi i emigrantëve, numra impresionues
Luftërat civile, diktaturat etniko-fetare dhe varfëria ekstreme, në kushtet e një aksesi të jashtëzakonshëm në informacionin global dhe të komunikimit të lehtë me miq apo familjarë, tashmë, në emigrim, si dhe rritja e ndërgjegjësimit dhe aspiratave të shtresave me shkollim mesatar në vendet e origjinës, kanë krijuar një lëvizje të madhe migratore drejt vendeve më të pasura të BE-së, veçanërisht drejt Gjermanisë dhe Vendeve të Ulëta.
Nga Siria dhe Afganistani po drejtohen drejt Europës miliona emigrantë, me dhe pa status. Vetëm ndërmjet Turqisë dhe Libanit janë vendosur mbi katër milionë refugjatë sirianë. Nga vendet e Afrikës qendrore miliona të varfër ndërmarrin një udhëtim të gjatë e të rrezikshëm mes për mes shkretëtirës, Libisë e detit për të mbërritur në Itali, dhe për të vazhduar pastaj drejt Gjermanisë dhe Zvicrës. Vlerësimi i numrit të saktë, në kushte të tilla, është përherë i përafërt, por sidoqoftë është e qartë se numra të tillë njerëzish përbëjnë një problem të madh për këdo, përfshi edhe agjencitë e OKB-së.
Rregullat e UN dhe ato të BE kanë lindur në një kontekst tjetër
Në të shkuarën, problemi i migrimit klandestin ka qenë gjithmonë i kufizuar në numër dhe i izoluar në zona të caktuara, më të mbërthyera nga ndonjë krizë, qoftë edhe vetëm ekonomike. Bosnja, Shqipëria, Tunizia, Maroku janë vetëm disa shembuj të vendeve që, në momente krize, kanë qenë burim fluksi emigrator, ku pastaj përziheshin edhe flukse me emigrantë kinezë, kurdë dhe afganë.
Standartet ndërkombëtare në fushën e emigrimit, të cilat janë hartuar, kryesisht, gjatë epokës së luftës së ftohtë, përqëndrohen tek asistenca humanitare dhe respekti ndaj individëve që kërkojnë azil politik.
Por, ai që kërkonte azil, në atë kohë, ishte, përgjithësisht, një person që arratisej nga ndonjë diktaturë e rrezikshme, shpesh, e njohur si armike e vendeve ku refugjati kërkonte strehim. Azilantëve politikë u shtoheshin refugjatët ose të zhvendosurit nga konfliktet, të mbrojtur nga një statut tjetër i OKB-së, i konsideruar si detyrë kryesore e UNHCR-së.
Gjatë luftës së ftohtë, konfliktet e armatosura zhvilloheshin të gjitha në Afrikë ose në Azi dhe miliona të zhvendosur mund të administroheshin me pak dollarë në ditë, në kampe refugjatësh. Por mbi të gjitha, pjesa më e madhe e njerëzve qëndronte në shtëpitë e tyre dhe zhvendosej vetëm nëse u digjnin apo shkatërronin shtëpitë.
Sot, përkundrazi, po lëvizin familje të tëra që kërkojnë të bashkohen me familjarë e miq, tashmë, në emigrim, jo vetëm për t’i ikur luftës, por shpesh për të gjetur një zgjidhje më të mirë për jetët e tyre, zgjidhje që tashmë e njohin përmes aksesit të madh në informacion që kanë sjellë teknologjitë e reja.
Një shembull për të gjithë: refugjati i luftës—sikurse janë milionë sirianë—është absolutisht i mbrojtur nga ligjet ndërkombëtare, por askush nuk i garanton atij të drejtën të zgjedhë se ku do të shkojë. Edhe nëse të gjithë duan të shkojnë në Gjermani, askush nuk mund ta detyrojë Gjermaninë apo këdo vend tjetër të presë miliona individë. Imagjinoni, për shembull, sikur të gjithë të donin të shkonin në Luksenburg!
Europa dhe Shengen
Përpjekja për t’i dhënë dukshmëri dhe konkretizim praktik konceptit të Bashkimit Europian prodhoi rregullat Shengen, të cilat shpejt u shtrinë në vënde të tjera jo anëtare të BE-së, si Shqipëria. Këto rregulla nuk kanë marrë parasysh situata të kësaj rëndësie dhe të këtyre përmasave, por mbi të gjitha nuk kanë marrë parasysh situatat e ndryshme gjeopolitike mes vendeve anëtare.
Sot, është e dukshme që vende si Greqia dhe Italia janë më shumë të ekspozuara ndaj fluksit të Lindjes së Mesme dhe Afrikës dhe kanë detyrë të dyfishtë, humanitare—ndihmën në det—dhe politike—pritjen e parë, identifikimin dhe njohjen e statusit,—ndërkohë që përballen me burime të kufizuara njerëzore dhe përgjegjësi më të mëdha.
Sipas rregullave të Shengenit, vendi i parë i arritur nga emigrantët ka detyrën t’i identifikojë dhe t’i mbajë ata deri në dhënien e statusit të refugjatit. Ata, të cilëve nuk i njihet statusi i emigrantit, duhet të riatdhetsohen në vendet e tyre, gjë që në rastin e Libisë, mesa duket, nuk është e mundur, ndërsa në rastin e Turqisë do të ishte teknikisht e mundur, por me kushtet e qeverisë turke.
Vendet të cilat presin qindra mijëra individë, shpesh pa dokumenta, por të mbrojtur nga e drejta ndërkombëtare, kanë kosto dhe probleme logjistike më të mëdha se ato vende që janë larg kufijve Shengen, si për shembull Gjermania. Aq më tepër që Greqia e Italia kanë një situatë të brendshme ekonomike dhe politike jo të favorshme për të përballuar një emergjencë të tillë.
Në realitet, sot, në BE ka dy tema diskutimi: tranziti dhe qëndrimi i përhershëm. Në fakt, çështja e tranzitit shtron probleme juridike mbi lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe probleme në raportet me vendet fqinje, të cilët do të presin fluksin e refugjatëve; ndërsa çështja e qëndrimit, e cila është tentuar të zgjidhet përmes rishpërndarjes proprocionale të refugjatëve që u ështe njohur statusi i azilantit, sjell probleme logjistike, të sigurisë së brendshme, dhe, në fund, probleme të kostos së jetesës për t’u përballuar për një periudhë të papërcaktuar.
Plani i shpërndarjes nuk ka filluar ende të funksionojë në praktikë për shkak të kundërshtimit total të vendeve si Hungaria. Por, gjithsesi, plani është bërë vetëm për një pjesë fare të vogël të numrit të jashtëzakonshëm të njerëzve të ardhur ose në pritje.
Cilësia e emigrantëve: refugjatë politikë, refugjatë ekonomikë, identitete të rreme dhe mungesë dokumentacioni
Situata eshtë ndërlikuar nga vështirësia e dallimit korrekt të statusit real të atyre që hyjnë, edhe pse, kur një njeri ka kaluar në mënyrë klandestinë më shumë se një kufi shtetëror, ai nuk mundet të konsiderohet më refugjat lufte, edhe pse ka ende të drejtën të kërkojë azil politik në vendin që dëshiron.
Pjesa më e madhe e atyre që arrijnë në Greqi dhe Itali nuk duan të qëndrojnë në këto vende, pasio duan të mbërrijnë në Gjermani. Për këtë arsye, ata arratisen nga kampet e refugjatëve dhe nuk duan të indentifikohen. Kjo gjë i leverdis autoriteteve greke dhe italiane, që i lëshojnë ata drejt qëllimit të tyre, por, në mënyrë të vetëkuptueshme, nuk është e mirëpritur nga vendet ku ata kalojnë gjatë udhëtimit drejt Gjermanisë.
Tensionet e brendëshme politike të dhe rreziqet e ekstremizmit neonazist
Gati të gjitha vendet e përshkruara ose të prekura nga fluksi i refugjatëve, me përjashtim të Gjermanisë dhe Hollandës, janë vënde me situatë të brendëshme ekonomike e shoqërore të pasigurtë, për shkak të krizës të tejzagjatur ekonomike. Pothuajse të gjitha, kanë një numër të madh emigrantësh jo gjithmonë të mirë integruar në shoqëritë e tyre.
Në këto kushte, sjellja e qeverive të këtyre vendeve është shpesh e kushtëzuar nga opinioni i brendshëm publik, i cili nuk është i gatshëm të pranojë rritje të fondeve të solidaritetit për të huajt, që shpesh identifikohen nga publiku me ekstremizmin islamik. Për këtë arsye, forca të caktuara neonacionaliste ose neonaziste po arrijnë një konsesus që po rritet në mënyrë të rrezikshme për t’i shtyrë qeveritë e tyre në qëndrime të kundërta nga zgjidhjet e arritura në Bruksel.
Kështu, për shembull, shpërndarja e refugjatëve të pajisur me status, e cila është kërkuar me të madhe nga Greqia dhe Italia, dhe është negociuar me sukses në Bruksel, nuk është zbatuar asnjëherë në praktikë për shkak të rinegocimeve të vazhdueshme të shumë qeverive nën trysninë e opinionit të brendshëm publik.
Nga ana tjetër, numri i të ardhurve është aq i madh sa edhe nëse të gjithë do të administroheshin në mënyrë korrekte dhe do të shpërndaheshin—kundër dëshirës së tyre—proporcionalisht mes vendeve të BE-së, kjo gjë do të përbënte një problem të madh politik për shumë nga këto vende, të cilat janë, tashmë, të përfshira në krizë ekonomike dhe në vështirësi të brendëshme politike.
Pozicioni i Shqipërisë
Pjesa e Shqipërisë në këtë histori është si ajo e shumë vende të Shengenit, si Italia, Greqia apo Maqedonia: askush nuk do të dëshiron të qëndrojë, por vetëm të kalojnë për të arritur ndalesën më të kërkuar, Gjermaninë. Por, Shqipëria, sikurse Maqedonia, kërkon që, para se t’i lejojë refugjatët të hyjnë, të jetë e sigurtë që mund të arrijë t’i nxjerrë ata nga ana tjetër; pra të lejojë tranzitin, por jo t’i pranojë ata përfundimisht, gjë e cila, në fakt, nuk dëshirohet as nga vetë refugjatët.
Sigurisht, disa mijëra prej tyre mund të pranohen dhe priten në ndonjë kamp të pajisur, por për këtë duhen burime financiare nga jashtë, si dhe një marrëveshje me ndalesën e ardhëshme të tyre: Malin e Zi, Kosovën ose Italinë.
Por në një pikë rrethi është mbyllur tashmë: refugjatët nisen nga Turqia, arrijnë në Greqi dhe duan të arrijnë në Gjermani, duke ndjekur rrugën e brendëshme ballkanike—Maqedoni, Serbi, Kroaci, Austri,—ose atë të bregdetit—Shqipëri, Mal i Zi, Kroaci, Austri,—ose të kthehen sërisht në det—Itali, Austri ose Shqipëri, Itali, Austri. Të gjitha këto drejtime arrijnë në Austri, dhe nëse Austria ka mbyllur ose do të mbyllë kufijtë, i gjithë udhëtimi i mëparshëm është komplet i kotë. Dhe lumi i refugjatëve do të ngecë në anën tjetër të kufirit të fundit që do të mbyllet.
Precedenti i muxhahedinëve
Në rastin e Shqipërisë ajo që i ndërlikon marëdhëniet me vendet e BE-së është çështja e muxhahedinëve iranianë, të pranuar si refugjatë politikë, me kërkesë të qeverisë amerikane. Ardhja në Shqipëri e mijërave muxhahedinëve, me të shkuar terroriste, të përgatitur dhe të organizuar ushtarakisht, të cilët do duhet të qëndrojnë për një kohë të papërcaktuar në Shqipëri, po vë në provë të fortë besimin e fqinjëve italianë, të cilët druhen së mes tyre mund të jenë të fshehur terroristë që “ju hanë duart” e që mund të rekrutohen si mercenarë apo të mobilizohen në rradhët e ndonjë grupi luftarak islamik.
Ndoshta qeveria e kishte të vështirë t’u thoshte “jo” SHBA-ve, por duket se ajo po e ka të vështirë të sigurojë Italinë që policia dhe shërbimet sekrete shqiptare janë në gjendje të kontrollojnë kaq shumë njerëz, pikërisht në portat e tyre: nga Durrësi, Vlora apo nga çdo pikë tjetër e kufirit bregdetar, udhëtimi drejt Barit nuk është i vështirë dhe preçedenti ekziston.
Çfarë mund të bëj Shqipëria
Shqipëria do të donte, sigurisht, të konfirmonte shpirtin e saj tolerant dhe human, tashmë të kurorëzuar gjatë krizës së Kosovës dhe, ndërkohë, shtylla themelore e retorikës ndërkombëtare të Kryeministrit Rama
Por ky shpirt tolerant ka kosto, qoftë për të shmangur muret dhe lejuar hyrjen e fluksit të emigrantëve në Shqipëri, për t’i lejuar ata pastaj të arrijnë Malin e Zi ose Italinë, gjë që do të krijonte pasoja të rënda për marëdhëniet me këto vende fqinje; qoftë për t’i dhënë azil një numri të konsiderueshëm refugjatësh—gjithmonë nëse ato do jenë të interesuar për të marrë azil në Shqipëri,—gjë që mund të ketë dy efekte krejt të kundërta: një kosto të lartë për vetë shtetin shqiptar, ose një mundësi për të rritur nivelin e kërkesës së brendëshme, nesë një kosto e tillë do të mbështetej nga BE.
BE i ka akorduar Turqisë tre miliardë euro për administrimin e 2,5 milionë refugjatëve sirianë, pra afërsisht 1 200 euro për çdo refugjat, por nuk dihet për sa kohë do të vazhdojë ky kontribut. Mbi të gjitha, duhet të kihet parasysh së Turqia ka një prodhim të brendshëm për kokë gati 3 herë më të lartë se Shqipëria.
Përfundime
Për qeverinë shqiptare, kriza e refugjatëve shfaqet si një problem politik i përmasave të mëdha, me kosto politike dhe diplomatike, të vështirë për t’u përballuar edhe nga qeveri më të forta e më të fuqishme politikisht.
Në gjendjen e përgjithshme të përshkruar më sipër, është shumë e mundur që çfarëdo pozicion i Shqipërisë në këtë çështje e cila shkon në të kundërt të kërkesave të ndonjërit prej interlekutorëve tanë kryesorë— Italisë, Greqisë, Gjermanisë, Turqisë, BE-së—mund të pranohet pa pasoja nga të tjerët, duke qënë se pozicionet dhe interesat e tyre janë në kundërshti të fortë ndërmjet tyre.
Dhe në fakt, në vetëm tre ditë kemi arritur të shohim një përqasje politike konfuze të qeverisë shqiptare, me Ministrin e Financave dhe atë të Integrimit të gatshëm të recitojnë që Shqipëria nuk ka ngritur mure, dhe Kryeministrin që ka nxituar, menjëherë, të theksojë se nuk do të ketë kufij të hapur, duke vënë në vështirësi të mëdha Ministrin e Jashtëm dhe duke e detyruar atë të mbajë ekuilibra shumë të vështirë.
Por, Kryeministri Rama nuk është i vetmi, dhe mbi të gjitha nuk është i pari, që është ekspozuar ndaj një risku të madh politik për shkak të refugjatëve. Mjafton të mendojmë se çfarë mund t’u ndodhë marrëdhënieve të brendëshme ndërmjet 28 vendeve të BE-së, të cilat, tashmë, janë të tensionuara; por edhe në këtë rast, pra edhe nëse BE paralizohet politikisht, kostojo për Shqipërinë do të ishte shumë e lartë.