Përgjatë regjimit të Enver Hoxhës, diktatorit brutal komunist të Shqipërisë, deti përbënte kufirin përtej; urdhrat ishin që të ekzekutohej kushdo që kapej duke bërë zhytje pa autorizim.
Përshpejtojmë kohën 28 vjet dhe shohim ujërat e Shqipërisë të hapura për këdo: turistë, zhytës, të apasionuar pas aventurës, arkeologë, por edhe plaçkitës të dhënë pas grabitjes së thesareve të fjetura nën sipërfaqe. Ujërat e saj të pamata dhe të paeksploruara mbajnë në vete një numër të pallogaritshëm relikesh, që dëshmojnë për të shkuarën e larmishme dhe hera-herës të turbullt të vendit. Pjesë anijesh të fundosura, qeramika ilire, thesare të veshura me guaska, që ndryjnë të thëna e të pathëna për njerëzit që kanë përshkuar këto ujëra mijëvjeçarin e fundit e akoma më tutje në kohë.
Arkeologu Neritan Ceka është ndër të paktët që po e ngre zërin për marrjen e masave të menjëhershme për mbrojtjen e trashëgimisë së paçmuar që dergjet nën ujë përgjatë bregut.
“Një pjesë e madhe e kësaj pasurie gjendet në thellësi 20-30 metër, ku arrihet thjesht fare, pa pajisje të posaçme, dhe është zhdukur thuajse e gjitha, pa lënë asnjë gjurmë”, është shprehur ai në një intervistë së fundmi.
Aty nga fillimi i viteve ’80, nën syrin vigjilent të lakejve të Enver Hoxhës, capak arkeologë të shoqëruar nga ushtarë u lejuan të zhyteshin atyre ujërave, me ç’rast Neritani pikasi për herë të parë se ç’xhevahire mbante shtrati i detit.
“Kam parë pasuri të jashtëzakonshme, amfora, qeramika, objekte arkeologjike, që sot nuk gjenden më këtu. Skuadra zhytësish nga Evropa, po edhe nga Shqipëria, i kanë hyrë plaçkitjes në mënyrë barbare.”
Fondacioni Detar RPM, me qendër në SHBA, ka kryer disa ekspedita gjatë dekadës së fundit, dhe ka zbuluar 40 anije të mbytura në ujërat fare pranë bregut. Ndër to ka anije që datojnë që nga shekulli i shtatë para erës sonë e deri tek ato më moderne nga L1B apo L2B.
Mes objekteve të gjetura në skeletet e këtyre anijeve ka plot amfora romake, që i gjen në shitje në tregun e zi në Shqipëri edhe diku tek 100 eurot. Ato shfaqen me krenari edhe në shumë restorante luksi, ndërsa një pjesë tjetër dërgohen në Londër, apo në qendra të tjera të artit, ku nga duart e koleksionistëve të specializuar tërheqin shuma me katër, pesë, apo edhe gjashtë shifra. Zbulime të tjera të vyera kontrabandohen jashtë vendit dhe u shiten muzeve private apo koleksionistëve, duke bërë kështu që asnjë qindarkë nga fitimet të mos kthehet në vendin të cilit këto objekte i përkasin.
Industria e artefakteve historike është në gjendje të nxjerrë deri në 4 miliardë dollarë fitime përçdovit, duke mos llogaritur këtu sa e sa miliardë të tjera që qarkullojnë në tregjet e fshehta të nëntokës.
Ndër shembujt e dhunimit sistematik të trashëgimisë kulturore të nëndetit është anija austro-hungareze SS Link, që u pat mbytur pranë bregut të Shqipërisë në vitin 1918. Me fundosjen e anijes humbën jetën edhe 1.000 udhëtarët në të, por kjo nuk i sprapsi piratët, të cilët ia rropën objektet me vlerë për t’i shfaqur më pas në një muze në Austri.
Përveç shitjes tek muzetë dhe koleksionistët, disa nga anijet e luftës së shekullit të 20-të po përdoren për çelikun me cilësi të lartë, pasi çeliku i prodhuar përpara përdorimit të bombës atomike nuk ka radioaktivitet, ndaj mund të përdoret për aparatura delikate mjekësore apo shkencore.
E tillë anije është avullorja hungarezo-kroate Pozsony, që u pat fundosur shumë pranë bregut të Durrësit në vitin 1916. Kur u zbulua për herë të parë në vitin 2013 ishte krejt e paprekur, por pas tre vjetësh thuajse kurrgjë nuk kishte mbetur prej saj. I njëjti fat pllakosi edhe anijen nshëndetësore italiane Po, e cila u fundos në vitin 1941 pranë bregut të Vlorës. Trupi i saj kishte rezistuar në gjendje të shkëlqyer, kur u gjet filllimisht, por që atëherë është çmontuar fund e krye dhe objektet me vlerë si çanga, telegrafi, fenerët, dhe busulla janë zhvatur, teksa vlera e secilës shkon nga 5 mijë deri në 100 mijë euro.
Edhe pse qeveria shqiptare çoç ka bërë ndonjë hap për të mbrojtur ç’fshihet në thellësi, shumëkush shprehet se kjo nuk mjafton dhe se tashmë është vonë. Në qershor 2018 u miratua një ligj që anijet e mbytura i klasifikoi si monumente kulture dhe vendosi kritere të forta për licencat për skuadrat e zhytjes. Edhe policia lokale po bashkëpunon me Interpolin për të gjurmuar dhe kthyer në vend artefaktet e grabitura, por teksa i shkruajmë këto nukse ka pasur ndonjë rezultat pozitiv.
Çështja është se pikësëpari këto objekte nuk duhet të ishin luajtur fare nga vendi i tyre, dhe masat shtrënguese duket të ishin zbatuar prej kohësh për t’i mbrojtur reliket historike të Shqipërisë. Ai 30.000 euro buxhet vjetor që i ndahet arkeologjisë tregon qartë se historia, kultura dhe ruajtja e vlerave të tilla nuk kanë fort rëndësi në agjendën e qeverisë.
Megjithë pasuritë e sigurta të paeksploruara nën valët e ujërave shqiptare, realiteti i trishtë është se një pjesë e mirë e tyre janë zbërthyer, grabitur, kontrabanduar mu nën hundën e qeverisë shqiptare. Me gjithë këto çelësa që do të kishin hapur dyer të së shkuarës, por që janë tashmë të humbura apo të shitura tek ofertuesi më i parë, nuk është për t’u habitur se pse shumëkujt nuk ia rrok mendja larmishmërinë e gjerë të prejardhjes së vet.