Shqipëria renditet në vendin e 57-të në botë dhe e fundit në Ballkan në indeksin e fuqizimit dhe mirëqënies së grave.
Këto janë të dhënat e raportit të organizatës “Gratë, paqe dhe siguri”(WPS) që vlerëson përparimin dhe hapat e marra nga shtetet në të gjithë botën në lidhje me fuqizimin e grave.
Raporti merr për bazë tre aspekte themelore për të vlerësuar mirëqënien e grave – përfshirjen (ekonomike, sociale dhe politike), drejtësinë (në ligje dhe diskriminim) dhe sigurinë (në shtëpi, në komunitet dhe shoqëri). Këto aspekte merren në bazë të 11 faktorëve dhe më pas përpunohen në nivel kombëtar që të shërbejnë për renditjen e 167 shteteve në gjithë botën.
Raporti thekson se “vendet kanë më shumë harmoni dhe prosperitet, kur grave ju garantohen të drejta dhe mundësi të plota”.
Sipas rezultateve, vetëm një vend arrin t’i garantojë grave mirëqënie në çdo aspekt të jetës – Islanda. Shtete të tjera kryesuese të listës përfshijnë Zvicrën, Finlandën, Danimarkën dhe Norvegjinë. Vendet me rezultat më të dobët, ku është keq të jesh grua, sipas raportit janë Jemeni, Afganistani, Siria dhe Pakistani.
Sipas raportit, Shqipëria ka ende probleme me punësimin dhe përfshirjen ekonomike në familje të grave, më pak se gjysma e grave (46,4 për qind) arrijnë të punësohen. Arsimimi gjithashtu është një shqetësim, duke qënë se shumica e grave marrin vetëm arsimimin e detyrueshëm.
Rreth 6 për qind e burrave shqiptarë besojnë se është e papranueshme që gruaja të punojë.
Sipas Kombeve të Bashkuara, mbi 8 për qind e grave shqiptare dhunohen nga partneri i tyre, ndërsa studime të tjera tregojnë se 63 për qind e grave shqiptare provojnë dhunën nga partneri të paktën njëherë gjatë jetës së tyre.
Ndërkohë, 63 për qind e grave shqiptare e perceptojnë komunitetin e tyre si të sigurtë, pavarësisht rrezikut që paraqet dhuna në familje.