Indeksi Global i Konkurrueshmërisë së Talenteve (IGKT) e rendit Shqipërinë të fundit në Evropë për konkurrueshmërinë e talenteve të reja kryesisht në teknologji gjatë vitit 2017. IGKT, hartuar nga Insead dhe grupi Adecco, mat se si shtetet rriten, tërheqin dhe ruajnë talentin, duke i siguruar atyre një ambient të përshtatshëm për të zhvilluar strategji dhe për të qenë më të konkurrueshëm.
Në edicionin e këtij viti, indeksi është bazuar kryesisht në talentet në teknologji, e ardhmja e tyre dhe tregu i punës.
Në këtë indeks merren në shqyrtim 119 vende nga e gjithë bota. Shqipëria këtë vit renditet në vend të 80, me pak përmirësim krahasuar me vitet e kaluara, por e fundit si mes vendeve të rajonit, ashtu dhe mes vendeve evropiane.
Po të shohim të gjithë treguesit që indeksi vlerëson, Shqipëria vlerësohet me më shumë pike në spikatjen e talenteve, por sërish në këtë tregues vendet e rajonit kanë vlerësim më të lartë.
Në mbajtjen dhe kultivimin e këtij talenti, Shqipëria vlerësohet më dobët.
Mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi dhe Maqedonia renditet më mirë. Ndërkohë që në Evropë, vendin e parë e mban Zvicra. Zvicra renditet e para dhe në nivel global, Singapori në vend të dytë dhe SHBA-të në vend të tretë.