Sa u gëzuam atë dhjetor të ’90-ës! Si fëmijë, besuam se tash e mbrapa edhe ne do t’i ngjanim botës, jo vetëm se shpëtuam nga zinxhirët e një prej diktaturave më të tmerrshme që kishte njohur ky vend, por dhe për dritën jeshile që menduam se u hap edhe për ne, drejt lirisë, mirëqenies, prosperitetit e tërë të mirave që sjellin këto.
Por, shumë shpejt u zhgënjyem keqas, në të gjitha drejtimet. Ky zhgënjim ishte dhe është edhe më i tmerrshëm, më shkatërrues e më vështirësisht i përballueshëm se ai i prindërve tanë kur, mbas Luftës së Dytë Botërore, jo më që nuk hëngrën me lugë floriri, siç iu qe premtuar, por ndjenë se në qafë iu vu një lak i ri që s’e kishin provuar kurrë më parë. Pse e them këtë? Se, tek e fundit, diktatori e shpura e tij nuk e fshihnin se qenë një diktaturë, gjoja ”e proletariatit”, paçka se ata që sundonin s’kishin asgjë të përbashkët jo me proletarët, por as me turmat e pangopura me bukë që kishin nën vete.
Zhgënjimi i tanishëm është dhe më i pagëlltitshëm kur mendojmë se na vjen në një klimë krejt të ndryshme nga ajo e pas-Luftës, prej atyre që iu besuam e që, në dallim nga të të parët, na u hoqën se i përkisnin një “race” tjetër, me demek demokratike. Por, s’qe e thënë. Edhe ata, si gjithë pushtetarët, shumë shpejt u tjetërsuan. Them u tjetërsuan apo u transformuan se, në fillimet e tyre, në mos të gjithë, të paktën disa syresh, edhe mund të kenë qenë sadopak idealistë. Por, përvoja jonë tregoi atë që bota e ka përjetuar me kohë, se pushteti është më i fortë se çdo ideologji apo ideal.
Klasa politike që ka sunduar në këtë çerek shekulli, e cilitdo krahu qoftë, e ka diskretituar keq veten dhe e ka humbur të drejtën për të qeverisur më tej. Por, ec e hiqe! Është shumë e vështirë, në mos e pamundur.
* * *
Shpesh pyes veten dhe, ma merr mendja se këtë pyetje e kanë bërë dhe e bëjnë edhe shumë të tjerë: “Si qe e mundur që Enveri qëndroi në pushtet për afro gjysmë shekulli, kur shumë njerëz të ndershëm e të mençur e kuptuan që në fillim se kishin të bënin me një mashtrues e kriminel që nuk i dhimbsej jo më jeta e popullit por as e miqve e bashkëpuntorëve të tij më të ngushtë, madje, edhe e atyre që e kishin mbajtur me bukë apo që kishin vënë në rrezik kokën e tyre për jetën e tij?! Dhe përgjigjen e kam kuptuar me kohë: Çdo diktator, gjë e parë që bën, krijon atë aparat apo mekanizëm që do t’i duhet për të mbajtur e forcuar pushtetin, për të vënë nën zgjedhë të tjerët. Këtë bëri edhe Enveri, sa mori pushtetin: solli nga fshatrat më të humbura legjionet e pashkolluara dhe mbushi me to radhët e aparatçikëve dhe sidomos të Sigurimit famëkeq. Për jetën e re që po shijonin, përmes komoditeteve të shumta që iu siguroi, ata ishin gati të vrisnin dhe nënën e babën po t’ua kërkonte ai që i solli në ato poste.
Kalojmë tani në kohën tonë. Edhe këta të sotmit, jo vetëm e kanë kuptuar e përvetësuar me themel këtë “sekret” por edhe e kanë zbatuar e po e zbatojnë po me aq sukses, duke krijuar një strukturë administrative e mbrojtjeje sa që e ke të vështirë në mos të pamundur për t’i lëvizur nga karriget ku janë ulur, në pushtet apo në opozitë qofshin, gjë që për mua, tashmë nuk ka thuajse asnjë ndryshim e rëndësi. Janë gati njëlloj si ata, për nga etja për pushtet, zullumet që bëjnë e mjerimin që iu shkaktojnë masave të pambrojtura të popullit.
Gjithë sa shpreha më sipër, më shtyjnë të mendoj se Shqipëria mund të shpëtohet nga kjo gjendje kënetore ku është fundosur, vetëm përmes një “dhjetori” tjetër që të largojë nga pushteti apo dhe politika, në përgjithësi, tërë këtë lukuni mashtruesish, hajdutësh, pse jo dhe kriminelësh, që në çerek shekullin që lamë pas, kanë menduar e punuar vetëm për xhepat e tyre dhe e kanë katandisur popullin si mos më keq, duke e detyruar edhe pas njëzet e pesë vjetëve pluralizëm që, për të mbijetuar, ta gjejë zgjidhjen tek emigrimi. Një ndjenjë turpi dhe tmerri më kap sa herë që infrmohem nga Media se jemi vendi i dytë në Botë, pas Sirisë, për numurin e azil-kërkuesve. Mirë ata të gjorë që e bëjnë këtë për të shpëtuar kokën nga lufta vëlla-vrasëse apo dhe bombardimet e avionëve, qofshin ata të miqve apo të armiqve; po bashkë-atdhetarët tanë kush po i detyron të marrin rrugën e dhimbshme të kurbetit, edhe tani në shekullin e ri?! Do të mjaftonte vetëm ky fakt për të kuptuar se kush e ka qeverisur e po e qeveris Shqipërinë në këtë çerek shekullin e fundit të të ashtuquajturit tranzicion që një Zot e di se kur do të mbarojë. Hë, pra, a mund tu besosh të tillë poltikanëve, fatet e vendit e të popullit, me apo pa pushtet qofshin? Zgjidhja e vetme, për mendimin tim, do të qe vetëm një fillim i ri me mendësi të re dhe njerëz të rinj. Unë nuk e pres zgjidhjen përmes zgjedhjeve, qofshin ato edhe “të ndershme e të drejta”, siç po pretendohet nga protestuesit aktualë në çadrën e ngritur para kryeministrisë. Po a nuk jemi bindur katërcipërisht në këto 25 vjet se në Shqipëri një pretendim i tillë është as më shumë e as më pak por një utopi e kulluar?! Kush do t’i sigurojë ato, mos vallë e ashtuquajtura “qeveri teknike”, votimi elektronik apo ndërkombëtarët, që po bëhen qesharakë me refrenin e çdokatërvjetshëm se “zgjedhjet e fundit ishin një hap përpara, pavarësisht se kishin akoma disa probleme”, e të tjera dokrra si këto?! Ndaj them se do të ishte naivitet i pafalshëm që të presim ndryshime rrënjësore për të cilat folëm më lart, përmes zgjedhjeve, siç e kanë dëshmuar bindshëm rrotacionet politike të deritanishme.
* * *
Kur them se duhet një “dhjetor” tjetër, nuk kam parasysh që të ndiqen ato rrugë e të përdoren ato mjete të ’90-ës, se tashmë kanë ndryshuar kohët e, për pasojë, kushtet e brendëshme e të jashtëme nuk janë më ato, pavarësisht se hendeku në mes të pasurve e të varfërve apo, thënë ndryshe, mes atyre që ditën të përfitojnë nga ndërrimi i sistemit dhe shumicës së popullit që mbeti po aq i varfër e i braktisur, në mos edhe më keq, vazhdon të jetë present në të katër anët e vendit. Me “dhjetor” tjetër pra, unë kam parasysh largimin nga skena politike e të gjithë kësaj klase oligarkësh e banditësh dhe zëvendësimin e saj me një të re, të edukuar e të formuar sipas standarteve të sotme perëndimore.
Jam i vetëdijshëm se në gjithë sa shpreha më sipër, ka një kontradiktë të madhe: nga një anë them se duhet “dhjetor” tjetër që të largojë klasën politike që ka uzurpuar të gjitha pushtetet dhe, nga ana tjetër, pohova dhe pamundësinë e këtij ndryshimi, nga që pushtetmbajtësit e kanë krijuar e konsoliduar atë aparat apo mekanizëm mbrojtës sa që me një vlerësim realist thuajse e bën të pamundur një ndryshim të tillë. Po atëhere, ç’duhet bërë? Si mund të mendohet dalja nga kjo gjendje që është bërë prej kohësh një domosdoshmëri absolute?
E di gjithashtu se nuk po them ndonjë gjë të re, sidomos përsa i përket diagnozës së parë, daljes nga sistemi oligarqiko-diktatorial që është instaluar aty. Përsa i përket zgjidhjes, edhe pse duket si e pamundur, në tregun mediatik janë hedhur mendime të ndryshme, madje nuk kanë munguar edhe veprimtari të organizuara për të bindur njerëzit se ç’duhet të bëjnë. Një pjesë e mirë e tyre kanë shprehur mendimin se duhet filluar pikërisht nga ndërgjegjësimi i masave për gjendjen ku janë e për ndryshimet që duhen bërë. Të tjerë, bien në pozitat e një fataliteti të skajshëm duke mohuar çdo dritë jeshile në atë realitet të errët shqiptar. Ka ndër ta që e shohin zgjidhjen tek ndërkombëtarët, duke pohuar se pa angazhimin e tyre as që mund të dilet nga ajo gjendje…Mund të jenë hedhur edhe ide e mendime të tjera. Unë, sado e çuditëshme të duket, bije dakord me të gjitha e me asnjë. Pse e them këtë? Po a nuk na dukej dhe realiteti ynë i para ’90-ës të shekullit të kaluar si i i çimentuar e si i përjetshëm, ndaj të cilit nuk mund të bëje dot asgjë për ta përmbysur? Por ja që mrekullia ndodhi. Për atë përmbysje apokaliptike sigurisht që ndikuan faktorë të jashtëm e të brendshëm: nga njera anë popullit i kishte ardhur shpirti në majë të hundës, si tani dhe, nga ana tjetër, Bota Lindore ish-komuniste, përqark, kishte kohë që ziente. Pa këta dy faktorë, pra, as që mund të mendohej dhjetori i ’90-ës.
Po tani, si qëndron puna? Pavarësisht se jemi në kohë e në kushte krejt të tjera, disa analogjira qëndrojnë, siç dolën dhe nga ekspozeja e mësipërme. Duke ndërgjegjësuar masat brenda dhe në një bashkërendim veprimesh me ndërkombëtarët, diçka mund të bëhet për t’ia vështirësuar apo dhe pamundësuar sundimin e mëtejshëm kastës së re oligarqike, që herë është në pushtet e herë në opozitë.
Prapë sikur nuk thamë ndonjë gjë të re, nëse nuk zbresim në një plan më konkret se si mund të realizohet kjo. Po ta krahasojmë Shqipërine e sotme me një të sëmurë, para se të japim “ilaçet”, le të kthehemi pak mbrapa për të njohur shkaqet e sëmundjes. E, pra, pse erdhi kjo gjendje? Si mundi klasa e re poltike të zëvendësojë të vjetrën, në vend që të ndërtonte një të re, për të instaluar dhe këtu, më në fund, shtetin ligjor e demokracinë e vërtetë, që do t’i priste rrugën dhe çdo abuzimi me pushtetin?! Përgjigja është shumë e qartë për tërë ata që kanë një minimum kulture social-politike dhe sadopak njohje të realitet shqiptar: mungesa e institucioneve.(!) Pse e them këtë? Se korrupsion, krime e dukuri të tjera negative të të gjitha llojeve, ka edhe në shtetet më të përparauara e me demokraci të instaluar prej kohësh. Por, ajo që i dallon ato nga këneta jonë politiko-shoqërore, janë institucionet e konsoliduara që nuk merren me llafollogji boshe, siç po bëjnë “baballarët” tonë të kombit me të ashtuquajturën “reformë në drejtësi”, dhe jo vetëm. Ata hartojnë ligje, në bazë të përvojave të huaja që i gjen me bollëk; ua përshtatin kushteve të vendit dhe, më kryesorja, i zbatojnë ato me rreptësi deri në fund. Për tu bindur për këtë, mjafton t’i përjgijgemi një pyetjeje fare të thjeshtë: shteti oligarqiko-kriminal që është instaluar tek ne, mos ka ardhur nga mungesa e ligjeve dhe për këtë na u dashka reforma?! Absolutisht jo! Le ta ngul bisturinë edhe më thellë: mos regjimi i Enver Hoxhës e kishte të keqen vetëm tek ligjet? Prapë përgjigjem: absolutisht jo, kryesisht tek moszbatimi i tyre!
E zëmë se po biem dakord për këtë. Por lind problemi tjetër, edhe më i koklavitur se i pari: po si t’ia bëjmë që ne institucionet tona, siç e pohojnë tashmë njëzëri analistë e poltikanë, të huaj e të vendit, janë nga më të korruptarat?! Me ç’njerës do t’i mbushim ato institucione që të na zbatojnë ligjet e të krijojnë atë klimë mbytëse për hajdutët e kriminelët pushtetmbajtës?
Kjo është e vërtetë, por për të dalë nga kjo gjendje do të thosha përsëri: e vështirë, por jo e pamundur… “Po si, pra?” – do të më ndërpresë fjalën, jo pa të drejtë, lexuesi i mundshëm. Dhe përgjigja ime është ajo e fillimit: të përpiqemi për një “dhjetor” tjetër, jo përmes një revolucioni me dhunë, por të kadifenjtë, të butë, të shtruar, pak nga pak. Që të mbërrish në majë të malit, do hedhësh fillimisht hapin e parë. Këtu po, mund të ndihmojnë shumë edhe ndërkombëtarët në drejtimin apo monitorimin e institucioneve, por jo si deri tani që, për mendimin tim, nuk e kanë përligjur veten, duke u bërë përgjithësisht, palë e pushtetmbajtësve.