Pensionistët shqiptarë marrin pensionin mesatar më të ulët në gjithë rajonin.
Revista Monitor, duke cituar shifrat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore për vitin 2016, shkruan se pensioni mesatar në rang vendi është 11,714 lekë ose përafërsisht 86 euro (14,873 lekë në qytet dhe 8,556 lekë në fshat). Ndërkohë në Ballkan, sipas të dhënave të Bashkimit Evropian, në vitin 2012 pensioni mesatar i rajonit ishte 240 euro, rreth 2,5 herë më i lartë se ai i Shqipërisë.
Në rajon pensionin mesatar më të lartë e ka Mali i Zi (323 euro) ndërsa më të ultin përveç Shqipërisë e ka Bosnja (178 euro). Në këto shifra nuk është llogaritur indeksimet e vazhdueshme të pensionit ndër vite.
Ndërkohë me nivelin e pensioneve në vendet e BE-së Shqipëria është edhe më larg: në Norvegji pensioni mesatar vjetor është 58 mijë euro (rreth 4800 euro në muaj), Gjermania 41 mijë euro në vit (rreth 3400 euro në muaj), Italia 27 mijë euro në vit (rreth 2250 euro në muaj).
Kryeministri Edi Rama ka premtur në fund të vitit 2016 rritje të pagave dhe pensioneve por ende nuk është miratuar ndonjë skemë konkretë. Duket se rritja e numrit të pensionistëve dhe reduktimi i forcës së punës do të jenë dy sfidat kryesore të qeverisë në këtë drejtim.