Shqipëria nënshkruan deklaratën për armëpushim global me Kombet e Bashkuara

Nga Exit News
Shqipëria nënshkruan deklaratën për armëpushim global me Kombet e Bashkuara

Shqipëria ka nënshkruar një deklaratë të mbështetjes për një armëpushim global në mes të pandemisë COVID-19.

Një iniciativë e nisur nga Bangladeshi, Ekuadori, Egjipti, Xhamajka, Japonia, Malajzia, Oman, Senegal, Slloveni dhe Suedi, në mbështetje të kërkesës së bërë nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në 23 Mars. Deklarata u nënshkrua nga 171 shtete anëtare të KB, shtete jo anëtare vëzhguese dhe vëzhgues.

“Ne e pranojmë që përhapja e pandemisë COVID-19 ka ndikuar thellësisht në të tre shtyllat e Kombeve të Bashkuara – paqja dhe siguria, zhvillimi dhe të drejtat e njeriut.

“Ne shprehim shqetësimin tonë të thellë për vazhdimin e armiqësive në pjesë të ndryshme të botës, veçanërisht në mes të krizës globale shëndetësore, dhe ndikimin e tyre shkatërrues tek më të prekurit – veçanërisht për gratë dhe fëmijët. Ne duhet të bashkojmë të gjitha përpjekjet tona për të shpëtuar jetë dhe për të lehtësuar shkatërrimet sociale dhe ekonomike mbi popujt tanë”, thuhet në deklaratë.

Duke bërë thirrje për veprime diplomatike nga të gjitha Shtetet Anëtare të KB dhe Shtetet Vëzhguese, nënshkruesit thonë se duhet të bëhet një përpjekje kolektive në luftën e përbashkët kundër pandemisë.

Ata theksojnë se sundimi i ligjit, dialogu dhe diplomacia për paqen janë thelbësore në promovimin e përpjekjeve mbështetëse për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve. Kjo, së bashku me rolin e rëndësishëm të grave dhe të rinjve në ndërtimin e paqes së qëndrueshme, është thelbësore, sipas deklaratës.

Ata u bëjnë thirrje të gjithë aktorëve të bëjnë çmos për t’iu përgjigjur thirrjes së Sekretarit të Përgjithshëm dhe “të qëndrojnë të bashkuar për ti dhënë kuptim paqes”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>