Shqipëria është kthyer në një ndër rrugët kryesore që emigrantët e paligjshëm ndjekin për të shkuar në vendet e Europës.
Sipas raportit të fundit të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), vetëm në periudhën janar-shtator 2018, rreth 18 mijë emigrantë, kryesisht sirianë e pakistanezë, kaluan nëpër Shqipëri, Mal të Zi dhe Bosnje , për në vendet e BE-së. Krahasuar me një vit më parë, kjo shifër është shtatë-fishuar.
Ndërkohë nga rruga tjetër tokësore, ajo Turqi-Greqi, për të njëjtën periudhë kohore kanë kaluar vetëm 12 mijë emigrantë.
Aktulisht në Shqipëri, OIM raporton se ndodhen rreth 4 mijë emigrantë të paligjshëm, që presin të kalojnë kufirin. Krahasuar me një vit më parë kjo shifër është katër-fishuar.
Sipas raportit, vitin e fundit, numri i emigrantëve që zgjedhin të kalojnë përmes kufirit tokësor dhe jo atij detar, është rritur ndjeshëm, si për shkak të rrezikut të lartë që vinte nga deti, ashtu dhe për faktin se tashmë kanë një rrugë të paligjshme, më të lehtë përmes kufirit tokësor shqiptaro-malazez.