EXIT: Profesor, ka shumë komente mbi zgjedhjet e fundit në Maqedoninë e Veriut dhe sidomos rezultatin e mirë të partive politike shqiptare. Cili është opinioni juaj për rezultatin zgjedhor dhe sa u reflektua rezultati zgjedhor në koalicionin e sapoformuar për qeverinë e Maqedonisë?
Profesor Mehmeti: Këtë herë ka pasur vërtet më tepër komente se asnjëherë tjetër pas zgjedhjeve. Kjo ka ardhur për shkak të rezultatit më të mirë të partive shqiptare. Por, duhet ta dimë edhe faktin se, në këto zgjedhje partitë politike shqiptare kanë fituar së bashku 11 044 vota më pak se në zgjedhjet e vitit 2016, ndërsa kanë siguruar 12 mandate më tepër se në ato zgjedhje.
Ky është rezultati më i mirë deri më sot i faktorit politik shqiptar, por nuk është rezultati maksimal që duhet ta arrijnë shqiptarët në përfaqësimin e tyre në parlamentin e Maqedonisë Veriore. Shqiptarët duhet të fitojnë së paku 45-50 mandate, duke marrë parasysh përqindjen e tyre në numrin e përgjithshëm të banorëve dhe numrin real të votuese shqiptarë në këtë shtet.
Pse nuk ka ndodhur kjo deri më sot, këtu duhet të fokusohen analizat tona në të ardhmen.
Praktikat e diskriminimit të shqiptarëve nga ish-regjimi komunist jugosllav i ka trashëguar edhe pushteti pas pavarësimit të Maqedonisë, që fatkeqësisht pushteti i mëparshëm e këtij vendi i ka zbatuar në forma më perfide dhe të sofistikuara.
Sipas analizave tona, publikuara vitet e fundit, krahasuar me të dhënat zyrtare nga enti shtetëror i statistikës dhe institucione të tjera, numri i shqiptarëve në Maqqedoni është së paku sa 35-40% e popullsisë, pra edhe numri i votuesve shqiptarë duhet të jetë me këtë përqindje.
Nga këto të dhëna, numri i mandateve mund të arrijë deri në 50 deputetë, që duhet t’i pretendojë dhe realizojë faktori politik shqiptar, nga 120 deputetë sa ka Parlamenti i Maqedonisë Veriore.
Ky rezultat nuk ka mundur të arrihet nga faktori politik shqiptar deri më sot për shumë shkaqe.
Ndër shkaqet kryesore nuk është vetëm mosregjistrimi i popullsisë, siç pretendojnë disa politikanë dhe analistë, por është falsifikimi i të dhënave për numrin e banorëve dhe të votuesve shqiptarë nga vetë organet e pushtetit, në të gjitha nivelet.
Këtë falsifikim e kanë konstatuar edhe gazetarë hulumtues nga agjencitë vendëse dhe të huaja, të cilët gjatë viteve të fundit janë marrë me këto çështje.
Ky edhe mund të jetë shkaku pse nuk është bërë regjistrimi i popullsisë që nga viti 2002. Në vitin 2011, operacioni statistikor për regjistrimin e popullsisë ka filluar dhe është ndërprerë.
Përvoja të këtilla ka edhe në shtete të tjera, por, pushteti i Maqedonisë Veriore që t’i jep një zgjidhje kësaj çështje në të ardhmen do të kalojë pak kohë deri në reformimin e tij, sidomos me vendosjen e një kontrolli për plotësimin e standardeve ndërkombëtare.
Në lidhje me pjesën e dytë të pyetjes tuaj, sa ka mundësi të maksimalizohej ky rezultat zgjedhor i faktorit politik shqiptar, por që nuk është realizuar me formimin e qeverisës së re, është përçarja e thellë mes partive politike, një dobësi e trashëguar nga e kaluara, që asnjëherë faktori politik shqiptar nuk ka arritur të bashkëpunojë dhe t’i koordinojë punët siç duhet dhe kur duhet.
Prandaj, pavarësisht nga numri i ministrive që u janë ndarë partive shqiptare në qeverinë e re të sapoformuar dhe nga postet e larta shtetërore, kryetari i Parlamentit apo kryeministri shqiptar (100 ditë) janë vetëm një simbolikë për relaksimin e marrëdhënieve ndëretnike në vend, por nuk duhet të pritet se mund të japin rezultate të menjëhershme, siç presin qytetarët shqiptarë, për zgjidhjen e shumë problemeve të trashëguara nga e kaluara, të pazgjidhura deri më sot.
Një çështje tjetër për t’u diskutuar mbetet edhe dilema, sa mund të jetë efikase një qeveri pa mbështetje të zgjeruar, siç ka mundur të jetë me bashkimin e mandateve të partive shqiptare, ku raporti do të ishte 42 mandate nga koalicioni i partive të udhëhequra nga LSDM dhe 32 mandate nga partitë shqiptare, nëse do të ishin bashkuar kësaj radhe për interesa të përgjithshme dhe qëllime më të larta demokratike e kombëtare.
Kjo nuk ndodhi për shkak të ambicieve të drejtuesve të disa partive, për qëllime thellësisht individuale dhe klanore.
Këto histori suksesi jo shpesh vijnë në politikë, prandaj, ky lëshim do t’u kushtojë në të ardhmen vetë partive politike dhe drejtuesve të tyre, por sidomos qytetarëve shqiptarë.
Meqenëse këto ditë ishte përvjetori i 19-të i Marrëveshjes së Ohrit të 13 gushtit 2001, cili është bilanci aktual i kësaj marrëveshje? Cilat janë çështjet që kanë mbetur ende të pazbatuara dhe si e shihni përmbylljen e tyre?
Marrëveshja e Ohrit ka qenë një marrëveshje kornizë për ndërprerjen e konfliktit të armatosur të vitit 2001. Për shkak të rrethanave të atëhershme kjo marrëveshje nuk ka mundur të jetë marrëveshje e plotë dhe gjithëpërfshirëse për një zgjidhje të përhershme dhe afatgjatë për çështjet e pazgjidhura mes dy popujve shumicë në këtë shtet, shqiptarëve dhe maqedonasve—shumica probleme të trashëguara nga e kaluara: nën ish-pushtetin jugosllav, shqiptarët kanë qenë popull i shtypur dhe i sunduar.
Kjo logjikë e sundimit mbi shqiptarët, të trajtuar si popull i dorës së dytë dhe si qiraxhi në shtëpinë e tyre, është ngulitur në vetëdijen e një numri të madh të banorëve sllavë të Maqedonisë së sotme, të cilët çdo të drejtë që duan ta realizojnë shqiptarët e trajtojnë si kërkesë që varet nga “dashamirësia” e tyre dhe “vullneti” i pushtetit—kinse u jepet ndonjë e drejtë shqiptarëve nga hisja e të drejtave “ekskluzive” të atyre, jo si të drejta të ligjshme që i takojnë popullit shqiptar autokton, i cili ka mbetur nën sundime të huaja për shkak të rrethanave historike, që nga viti 1913 dhe sidomos nga 1945, kur për herë të parë është krijuar edhe Maqedonia si shtet.
Mendësi e këtillë e dominimit të sunduesit mbi të sunduarin nuk i çliron bashkëqytetarët maqedonas nga ky mashtrim i krijuar për dekada përmes propagandës serbe dhe jo vetëm.
Marrëveshja e Ohrit ka ardhur si rezultat e këtyre mosmarrëveshjeve, të cilat edhe e kanë shkaktuar konfliktin e vitit 2001. Për bindjen tonë, Marrëveshja kornizë e Ohrit nuk i ka zgjidhur problemet kryesore të shqiptarëve në këtë shtet, as ndryshimet kushtetuese të vitit 2001 në frymën e saj, por as edhe ndryshimet kushtetuese të fundit në bazë të Marrëveshjes së Prespës, në vitin 2019.
Në kushtetutën e këtij shteti, statusi juridik-kushtetues dhe politik i shqiptarëve është përcaktuar si pakicë kombëtare, jo si popull konstituiv i shtetit. Edhe statusi i gjuhës shqipe, pavarësisht nga avancimi i rëndësishëm me sjelljen e ligjit për gjuhët (jo për gjuhën shqipe), shqipja nuk është përcaktuar si gjuhë zyrtare, por si gjuhë e qytetarëve prej 20%, të cilët e flasin një gjuhë tjetër, të ndryshme nga gjuha zyrtare maqedonase.
Marrëveshja kornizë e Ohrit ka pasur edhe afatin për realizimin e saj, deri në fund të vitit 2004. (Me këtë rast duhet ta përmendim edhe faktin se, dokumenti origjinal i kësaj Marrëveshje me nënshkrime, në gjuhën angleze, llogaritet i humbur.)
Pavarësisht se kjo Marrëveshje është përfshirë në Preambulën e Kushtetutës aktuale të Maqedonisë Veriore, pjesë të rëndësishme të saj nuk janë zbatuar, sidomos përfshirja e barabartë e shqiptarëve në institucione dhe në administratën e shtetit, e cila aktualisht është nën 20%; përfshirja e shqiptarëve në disa institucione është tepër e ulët, madje ka institucione ku numri i shqiptarëve është simbolik, ose në nivelin zero, siç ka qenë deri para pak kohe përfshirja e shqiptarëve në njësitet speciale të ushtrisë dhe të policisë, në entin shtetëror të statistikës dhe në organe dhe institucione të tjera me “interes strategjik” vetëm për popullin maqedonas, jo edhe për “pakicën” shqiptare në këtë shtet.
Në Shqipëri flitet shpesh se shqiptarët e Maqedonisë kanë përparuar shumë dhe janë kthyer në faktor kyç në stabilitetin dhe progresin e Maqedonisë. Nga ana tjetër, në Tiranë nuk ka shumë njohuri mbi gjendjen reale të shqiptarëve të Maqedonisë dhe sfidat me të cilat përballeni. A mund të përshkruani shkurtimisht gjendjen aktuale të shqiptarëve atje?
Shqiptarët janë vërtet faktor kyç për stabilitetin dhe progresin e këtij shteti, meqë këtë e kanë dëshmuar gjithmonë, sidomos në procesin e integrimeve, anëtarësimin e vendit në NATO dhe aderimin në BE; por edhe më parë e kanë dëshmuar si populli i vetëm fqinj i maqedonasve, që nuk ua ka mohuar identitetin e tyre, historinë, gjuhën dhe kulturën, siç ua kanë mohuar shtetet dhe popujt tjerë fqinjë, bullgarët, serbët dhe grekët.
Por, ky qëndrim miqësor dhe human i shqiptarëve ndaj tyre, jo që nuk është vlerësuar sa duhet, por shpeshherë u është kthyer me hile, duke heshtur para shkeljes dhe mohimit të të drejtave të shqiptarëve nga pushteti i shteti të përbashkët.
Janë rritur gjenerata të tëra në Tiranë, të cilat kanë ditur pak ose aspak për shqiptarët e Maqedonisë dhe vëllezërit e tyre jashtë shtetit.
Këndej kufirit, propaganda sistematike, politike dhe fetare, kanë krijuar një model të shqiptarit më tepër romantik dhe euforik, të cilët për ta siguruar ekzistencën e tyre, në mungesë të kujdesit të mjaftueshëm nga shteti, janë shndërruar në vegla qorre të partive politike, kinse garantuese dhe mbrojtëse të interesave të tyre.
Kjo ka krijuar ndjenjën e partishmërisë ekstreme, nganjëherë më të fuqishme se atdhedashuria, tek një numër i madh i shqiptarëve në Maqedoni.
Edhe institucionet fetare dhe një pjesë e klerit, nën ndikimin e pushtetit kanë punuar një kohë të gjatë për krijimin e një tipi të qytetarit shqiptar, i cili vështirë e dallojnë interesin kombëtar nga interesi fetar. Kështu ka ardhur deri te shpërngulja e qindra mijë shqiptarëve për në Turqi gjatë regjimit komunist jugosllav, si dhe asimilimi i shumë shqiptarëve ortodoksë dhe katolikë gjatë asaj periudhe.
Një pjesë e shqiptarëve të besimit islam nuk kanë arritur ta vlerësojnë afrinë e tyre, sipas prejardhjes, gjakut, gjuhës dhe traditave kombëtare me vëllezërit e tyre ortodoksë e katolikë shqiptarë, të cilët duke qenë në numër më të vogël janë asimiluar në maqedonas, serbë apo bullgarë.
Në lidhje me çështjen, nëse shqiptarët janë faktor i rëndësishëm ekonomik në këtë shtet, mund të themi se kanë qenë të tillë dikur, deri në vitet e nëntëdhjeta, në saje të numrit të madh të shqiptarëve me punë në botën e jashtme, por ky ndikim është zbehur më vonë.
Përmes planeve strategjike të pushtetit, fatkeqësisht edhe me përkrahjen e individëve dhe klaneve të korruptuara dhe kriminale në radhët e partive politike shqiptare, në procesin e privatizimit të pasurisë shoqërore në Maqedoni (1993-2003), shqiptarët gati asgjë nuk kanë përfituar. Pronarë të fabrikave, ndërmarrjeve, kombinateve, uzinave, minierave dhe pasurive të tjera shoqërore janë bërë krerët e pushtetit dhe të politikës maqedonase, si edhe një numër tepër i vogël i shqiptarëve, edhe atë, në bashkëpunim dhe nën kontrollin e pushtetit.
Pavarësisht se çfarë suksese numëron politika aktuale, shqiptarë në Maqedoni kjo politikë dhe qeverisja e keqe i kanë varfëruar në skajshmëri, kjo është edhe arsyeja kryesore për shpërnguljen e tyre masive në botën e jashtme.
Pushteti në Maqedoni, synim të përhershëm strategjik e ka pasur zvogëlimin e numrit të shqiptarëve në këtë shtet, që fatkeqësisht ka arritur ta realizojë gjatë dy dekadave të fundit. Sipas disa të dhënave, në tri dekadat e fundit nga Maqedonia në botën e jashtme janë larguar një numër tepër i madh i banorëve shqiptarë.
Kjo është një humbje që nuk kompensohet me asnjë suksese tjetër, qoftë nga faktori politik shqiptar apo çfarëdo e arritur tjetër e shqiptarëve në këtë shtet. Numri i shqiptarëve, me potencial të plotë fizik, mendor dhe financiar është përcaktues i fatit dhe të ardhmes së tyre të sigurt në shtetin e përbashkët të Maqedonisë.
Si e shihni rolin e Shqipërisë dhe të Kosovës në përkrahjen e shqiptarëve të Maqedonisë dhe cilat janë pritshmëritë reale nga Tirana dhe Prishtina zyrtare në situatën që po kalon aktualisht Maqedonia e Veriut?
Jo vetëm shqiptarët, por edhe armiqtë e tyre kanë qenë gjithmonë të vetëdijshëm se shqiptarët në Maqedoni nuk janë popull jetim, pa kujdes dhe mbrojtje nga shteti i tyre amë, Shqipëria, pavarësisht nga regjimi që ka sunduar atje. Ky ndikim është rritur edhe më tepër me Pavarësimin e Republikës së Kosovës.
Sa është e mjaftueshme përkrahja e Shqipërisë dhe e Kosovës për shqiptarët në Maqedoni, shumica e shqiptarëve këtu janë të mendimit se nuk ka qenë dhe ende nuk është e mjaftueshme kjo përkrahje, sidomos nga Shqipëria, meqë Kosova ende përballet me probleme e veta të mëdha, për konsolidimin e demokracisë, ndërtimin e shtetit dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës.
Çfarë është dashur të bëjë Shqipëria për ne shqiptarët në Maqedoni? Atë që është dashur dhe duhet ta bëjë për të gjithë shqiptarët jashtë kufijve të sotëm shtetërorë të Shqipërisë, sepse numri i këtyre shqiptarëve është tepër i madh, të cilët jetojnë të ndarë në disa shtete fqinje, por janë në trojet e veta etnike, të cilët nuk kanë mbetur me fajin e tyre nën sundime të huaja.
Në pamje të parë duket sikur pushteti i Shqipërisë kujdeset mjaftueshëm për shqiptarët në Maqedoni, por kjo nuk nënkupton vetëm njërën anë të medaljes, përkrahjen e faktorëve politik mes vete, shpeshherë për interesa të klaneve politike dhe të një grushti oligarkësh në pushtetet në Tiranë, Prishtinë apo Shkup. Shqiptarët duhet të funksionojnë si një komb, me programe, strategji dhe projekte të përbashkëta, për nevojat e të gjithë shqiptarëve, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës, në trojet tjera etnike apo në Mërgatë. Askush nuk mund t’ua ndalojë shqiptarëve krijimin e institucioneve dhe mekanizmave për funksionimin e tyre si një komb, pavarësisht nga ndarjet administrative dhe me kufij mes shteteve.
Askush nuk ua ka ndaluar shqiptarëve ta bashkojnë kapitalin dhe dijen, të krijojnë institucione kombëtare, por të kontrolluara nga një shtet ligjor dhe demokratik, jo nga bandat kriminale dhe oligarkë të korruptuar, të cilët me dhunë vazhdojnë t’i sundojnë shqiptarët, jo t’i qeverisin. Të gjitha rrugët e shqiptarëve në rajon për dalje dhe hyrje me botën e jashtme duhet të kalojnë nëpër Tiranë, edhe kapitali financiar duhet të qarkullojë përmes bankave shqiptare, në vend ose në botën e jashtme; por, këtë duhet dhe mund ta jetësojë vetëm një pushtet dhe qeveri me përgjegjësi kombëtare, jo nga grupe politikanësh të papërgjegjshëm, siç i kanë sunduar shqiptarët deri më sot, si në Tiranë, në Prishtinë apo në Shkup.