Shqiptarët në Britani ‘të gatshëm të punojnë falas’ si shoferë, thotë ambasadori në Londër

Shqiptarët në Britani ‘të gatshëm të punojnë falas’ si shoferë, thotë ambasadori në Londër

Emigrantët shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar janë të gatshëm të punojnë falas për të ndihmuar në trajtimin e krizës së naftës që goditi vendin ditët e fundit.

Ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, Qirjako Qirko, i tha The Guardian: “Nëse qeveria juaj do të donte, ne mund të ofrojmë shoferë të mirë të besueshëm, ndoshta 5 000 menjëherë.”

Sipas tij, shumë prej shqiptarëve që jetojnë në Britani do të punonin falas në shenjë mirënjohjeje ndaj qeverisë britanike dhe ushtrisë “për atë që bënë për vëllezërit tanë në Kosovë” gjatë luftës në vitet ’90.

“Shqiptarët janë gati të punojnë pa pagesë që qeveria britanike të kapërcejë këtë problem. Unë nuk e di nëse ata kanë licencat e duhura, por nëse do t’i kishin, jam i sigurt që të gjithë këtu do të thoshin ‘Unë mund të ndihmoj’.”, tha Qirko, raporton The Guardian.

Qirko u bëri thirrje britanikëve që t’i shihnin shqiptarët si një pasuri dhe jo si një problem, duke u ankuar se ata shpesh portretizoheshin si anëtarë bandash, shpërndarës droge dhe trafikantësh njerëzish.

Qirko mohoi raportet që dolën të dielën se Shqipëria po negocionte një marrëveshje me Mbretërinë e Bashkuar për të pritur emigrantët që kalojnë Kanalin e La Manshit me anije të vogla. The Sun raportoi se zyrtarët e dy qeverive ishin afër arritjes së një marrëveshjeje për një qendër emigrantësh.

Zyra për emigracionin nuk e konfirmoi ose mohoi raportin. Por Qirko tha se nuk kishte pasur negociata. “Ky është një lajm absolutisht dhe tërësisht i rremë. Plotësisht i pavërtetë. Nuk ka diskutime dhe negociata. Jam i sigurt se Zyra e emigracionit do të reagojë dhe do ta mohojë këtë histori. ”

Mbretëria e Bashkuar u përball me mungesë nafte ditët e fundit pasi vendi raportoi largimin e mijëra shoferëve nga vendi si pasojë e Brexit dhe më pas COVID. Kjo mungesë shoferësh shkaktoi probleme në zinxhirin e transportit dhe furnizimit të pikave të karburantit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>