Shqiptarët në Malin e Zi, arsyet e ndarjes në disa parti

Nga Exit News
Shqiptarët në Malin e Zi, arsyet e ndarjes në disa parti

Në Mal të Zi jetojnë rreth 30 mijë shqiptarë, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh jo-sllav, megjithatë, në zgjedhje ata kanë konkuruar pothuajse gjithmonë të ndarë në disa parti.

Në zgjedhjet e vitit 2020, konkuruan 5 parti shqiptare të grupuara në 2 koalicione. Ata arritën të merrnin 2 deputetë në Kuvendin me 81 vende të Malit të Zi.

Një prej tyre, Genci Nimanbegu, foli në emisionin  “Me Pak Fjalë” rreth arsyeve përse shqiptarët nuk kanë garuar të bashkuar në zgjedhjet e Malit të Zi.

Shqiptarët në parlamentin e Malit të Zi kanë pasur nga 5 përfaqësues deri në vetëm një. Koha kur përfaqësimi ka qenë më i lartë lidhet edhe me lehtësitë që ofronte sistemi zgjedhor ku shqiptarët kishin zonat e veçanta zgjedhore, në komunat ku përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë.

Sipas deputetit Nimanbegu pikërisht këto lehtësi për t’u përfaqësuar në parlament kanë sjellë edhe formimin e disa partive shqiptare.

Si arsye të dytë ai theksoi ndarjet “të trashëguara ose ngacmuara nga subjekte të tjera politike në Mal të Zi qoftë edhe vetë nga lidershipi i shqiptarëve”.

Disa parti shqiptare të krijuar më herët kanë patur marrëdhënie të mira presidentin Milo Gjukanoviç që drejtoi vendin për rreth 30 vite. Partitë e tjera, të krijuara më vonë, nuk kanë ndarë të njejtën përkrahje për partinë në pushtet të Gjukanoviçit dhe kjo ka bërë që subjektet shqiptare, megjithëse të një etnie, të jenë të ndarë në skenën politike.

Së treti, Nimanbegu tha se “mungesa e vullnetit të sinqertë për bashkim” është gjithashtu një nga faktorët që ka ndikuar në ndarjen e shqiptarëve në shumë parti.

Prej vitit 1990, në Mal të Zi janë zhvilluar 11 palë zgjedhje në të cilat shqiptarët kanë marrë pjesë gjithësej në 8 parti të ndryshme. Vetëm në vitin 2002, dy partitë shqiptare të kohës garuan në një koalicion të përbashkët.

Në zgjedhjet e vitit 2020, u bë një përpjekje që të gjithë shqiptarët të garonin në një koalicion të vetëm por kjo nuk u arrit.

“Shpresoj që në të ardhmen të kemi një listë të vetme”, tha ndër të tjera deputeti Nimanbegu.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>