Shqipëria renditet mes tre shteteve me numrin më të lartë të personave që shfytëzohen si skllevër të punës dhe seksit në Mbretërinë e Bashkuar. Këto janë gjetjet e një vëzhgimi të thellë të Autoriteti i Abuzimit të Punës në MB.
Përveç shqiptarëve, dy kombësitë e tjera janë vietnamezët dhe vetë britanikët.
Fenomeni i shfrytëzimit seksual dhe për punë të rënda, në të zezë, me orare të zgjatura e të keqpaguar njihet si skallavëri moderne.
“Natyra barbare e skllavërisë moderne do të thotë se shkatërron jetën e viktimave të saj. Prandaj ne kemi prezantuar një akt modern kundër kësaj skllavërie në vitin 2015 dhe kemi rritur fondet e Autoriteti i Abuzimit të Punë për të gjetur dhe trajtuar rastet e skllavërisë moderne”, u shpreh Viktoria Atkins, ministrja për Krimin dhe Mbrojtjen në MB, pas publikimit të raportit.
Shqipëria kishte numrin më të madh të “skllevërve modernë” dhe në vitin 2016, sipas një raporti të publikuar nga Salvation Army, një organizatë bamirëse, ndër më të rëndësishmet në botë në ofrimin e kujdesit social për viktimat e trafikimit dhe skllavërisë moderne.
Në 2016, organizata kishte mundur të identifikonte 269 shqiptarë, viktima të skllavërisë moderne, të cilët shfrytëzohen seksualisht, punojnë në punë të rënda dhe shërbejnë në të zezë nëpër banesa.
Sipas të dhënave të raporti rreth 44 për qind e viktimave shfrytëzohen seksualisht, 42 për qind shfrytëzohen për punë të rënda, dhe 13 për qind punojnë si shërbyes në të zezë nëpër banesa.
Rritja e numrit të shqiptarëve që shfrytëzohen për punë të rënda është një fenomen që vihet re më shumë vitet e fundit. Sipas të gjitha raporteve, 3-4 vite më parë, ka qenë Nigeria shteti më numrin më të madh të njerëzve të trafikuar në Europë dhe në Mbretërinë e Bashkuar, por gjatë dy viteve të fundit vendin e parë e ka zënë Shqipëria.