Shteti je ti, Zoti Kryeministër!

Nga Marin Muça
Shteti je ti, Zoti Kryeministër!

Kryeministri ka filluar të anashkalojë çdo institucion dhe ligj të ndërtuar dhe miratuar këto dy dekadat e fundit. Ligjet për të janë kufizime formale që populli nuk i njeh, objekt shpërfilljeje për juristët e oborrit, ndërsa për median, një arsye më shumë pse heshtin dhe e bombardojnë tregun me rubrika rozë, lejla dhe portokalli.

Nëse përton ta adresosh ankesën tënde në institucionin e duhur, ti fare mirë mund të presesh dëgjesen e rradhes publike ku si qëmoti mund të denoncosh edhe fqinjën për prishje të rregullave të bashkëjetesës. Nëse drejtori që ke në zyrë të ngacmon, mund t’i bashkohesh ushtrisë së pafundme virtuale, e rekrutuar dhe e mbajtur me një disiplinë call centerash nga PR-i kryeministror, të mbjellësh maskën e anonimatit dhe prej vrimave të saj të vjellësh vrerin e qindra orëve pune nën rrogozin e shefit tënd.

Padyshim kjo është fasada e një demokracie që edhe Marksi po të ishte gjallë do ta kish zili. Burokracitë dalin jashtë loje, shteti shuhet dhe çdokush ka të drejtën të kallëzojë çdokënd përpara Prijsit që gjykon si Sfinks këdo që mëton të gjejë drejtësi në takimet që ai mban. Sepse Ti je shteti Zoti Kryeministër!

Një personalizim i tillë i institucionit që ai përfaqëson mbetet karakteristika dalluese e regjimeve autoritare ku ligji dhe shenjtëria e instuticioneve shkelen me të dyja këmbët nga një lider që tashmë ka dalë fitues mbi cirkun politik dhe si rrjedhojë prepotenca e tij ngre kokë kudo dhe kurdo në mediumet telezive e jo vetëm. Sot argumentat politikë nuk pijnë më ujë. Gjuha e tij e ka degraduar retorikën politike në batuta mediokre dhe humori kinez duke e kthyer në mision të pamundur mposhtjen me argumenta të një modeli anti-shtet dhe anti-demokraci.

Çfarë argumenti mund të përdorësh ndaj një kryeministri kur në bashkëbisedim me qytetarët, ndër të tjera, ai i pyet si janë me hashashin apo si i kanë gratë ? Çfarë diskursi politik mund të ndash me dikë që e ka kthyer politikën në artin e mashtrimit publik, e mashtrimit mediokër prodhuar në laboratorët mediatik të rilindjes.

Dëshira për të mbajtur të gjithë pushtetin mbi supe dhe dëshira për të patur monopol mbi jetën publike dhe politike në vend përkufizon kështu politikanin e Ballkanit që është rritur nën hijen e gjallë të një diktatori mbi krye. Gjithsesi përgjegjësia është e rrezikshme sepse në momentin që ti e ngre veten në piedestalin e liderit që personalisht zgjidh hallet e popullit pa patur nevojë per institucionet apo për aleancat me partitë e tepsive, mbart një barrë shumë të rëndë mbi vete. Sepse fitoret ashtu si humbjet do t’i faturohen atij dhe vetëm atij.

Sigurisht që mënxyra që pret pas derës nuk do të jetë plotësisht faji i tij. Një pjesë do jetë përgjegjësi e një dështimi spektakolar sistemor të këtyre këtyre 27 viteve dhe një pjesë tjetër e konsiderueshme do të jetë përgjegjësi e unicentrizimi të pushtetit, anashkalimit të institucioneve, gjyqeve publike dhe fletërrufeve.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>