Shumica socialiste po përgatit tjetër skandal kushtetues: anëtarët e GJK të fillojnë mandatin pa u betuar

Nga Megi Ndregjoni
Shumica socialiste po përgatit tjetër skandal kushtetues: anëtarët e GJK të fillojnë mandatin pa u betuar

Sikurse argumentuam dje mënyra se si shumica socialiste dhe KED po i zgjedhin anëtarët e Gjykatës Kushtetuese është në kundërshtim të hapur me Kushtetutën, e cila përcakton një proces dhe procedurë të qartë për këtë gjë.

Megjithatë duket se socialistët janë të vendosur të vazhdojnë ta injorojnë Kushtetutën me qëllim që të ngrenë me shpejtësi Gjykatën Kushtetuese, me qasjen qëllimi justifikon mjetin.

Por duket se në këtë rrugë antikushtetuese do të hasin në pengesën e Presidentit Meta, i cili ka në dorë një element kyç në krijimin e Gjykatës Kushtetuese: çdo anëtar i GJK-së duhet të betohen para Presidentit që të marrë zyrtarisht detyrën.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja deklaroi dje se nëse anëtaret e reja të Gjykatës Kushtetuese të zgjedhura nga Kuvendi, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji, nuk do të thirren nga Presidenti për t’u betuar, ato duhet të ulen në karriken e Gjyqtares dhe të vazhdojnë detyrën:

Nëse dy anëtaret nuk do të thirren nga Presidenti për të bërë betimin, do duhet të shkojnë në Gjykatën Kushtetuese për të marrë detyrën. Mendoj që fillimi i mandatit lidhet me momentin e zgjedhjes nga Kuvendi për dy anëtarët, por fillimi i mandatit duhet të lidhet ekzaktësisht me momentin kur Kuvendi ka bërë zgjedhje. Betimi është element ceremonial, solemn, por nuk mundet të bllokojë funksionalitetin e një organi kushtetues.“

Nëse deklarata e zotit Manja do të realizohet, kjo do të përbënte një tjetër shkelje flagrante të Kushtetutës dhe jurisprundecës së GJK. Kushtetuta është mjaft e qartë për momentin e fillimit të detyrës të anëtarit të GJK. Neni 129 i saj përcakton:

“Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës.”

Ky përcaktim kushtetues nuk lë asnjë dyshim se fillimi i detyrës së anëtarit të Gjykatës Kushtetuese lidhet ngushtësisht me momentin e betimit. Kjo do të thotë se nëse zonja Toska, zonja Vorpsi dhe zonja Papajorgji nuk do të betohen përpara Presidentit, ato nuk mund të ushtrojnë detyrën si gjyqtare kushtetuese e për rrjedhojë të marrin vendime.

Ky përcaktim kushtetues është rikonfirmuar nga vetë Gjykata Kushtetuese e cila ka theksuar se betimi nuk është thjesht një procedurë formale, por është momenti i fillimit të ushtrimit të detyrës nga ana e funksionarit të zgjedhur.

Në vendimin e saj të vitit 2016 për mandatin e ish deputetit të Partisë Socialiste Koço Kokëdhima, Gjykata Kushtetuese u shpreh në rastin analog të betimit të deputetëve:

“Në lidhje me momentin e fillimit të mandatit të deputetit, Gjykata ka vlerësuar se pasojat juridike të mandatit fillojnë në momentin që kandidati shpallet deputet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Nga ky moment ai është i detyruar të plotësojë të gjitha kërkesat kushtetuese e ligjore që lidhen me ndalimin e kryerjes së aktiviteteve të tjera apo deklarimet lidhur me interesat e tij financiarë siç parashikohet në nenin 70 të Kushtetutës dhe në ligjet e tjera përkatëse. […] Momenti i betimit të deputetit shënon datën e fillimit të ushtrimit të detyrës së tij si deputet.”

Nuk ka asnjë dyshim se anashkalimi i Kushtetutës dhe vendimeve të GJK të cilat kanë fuqinë e ligjit, për të mundësuar ngritjen në mënyrë të shpejtë GJK, cënon thelbësisht legjitimitetin e gjykatës më të rëndëshishme në vend.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>