Historia e shtyrjes së zgjedhjeve nuk është një histori e re në Shqipëri. Bashkë me atë të zgjedhjeve të parakohshme, braktisjes së zgjedhjeve apo e mosnjohjes së tyre, përbën një mozaik të shëmtuar të paaftësisë sonë për të zhvilluar zgjedhje normale, apo të paaftësisë për të njohur dhe pranuar humbjen.
Historia e zgjedhjeve të lira në Shqipëri, nis pikërisht me një marrëveshje për shtyrjen e tyre. Në 10 shkurt 1991 në Shqipëri ishin dekretuar zgjedhjet e përgjithshme. Por në Dhjetor 1990, protestat e studentëve çuan në krijimin e Partisë Demokratike, partisë së parë të opozitës. Një forcë antikomuniste që synonte të rrëzonte nga pushteti Partinë e Punës. Koha që nga krijimi i PD deri në zgjedhje ishte e pamjaftueshme ndaj në Janar 1991, PD thirri dhe mbështeti një seri grevash që vunë në vështirësi Partinë e Punës dhe qeverisjen e shkalafitur të një vendi në uri kronike. Në mes të Janarit u firmos një marrëveshje që parashikonte shtyrjen e zgjedhjeve. Nga 10 Shkurti 1991 ato u shtynë në 31 Mars 1991, kur edhe u mbajtën realisht.
Shtyrja e dytë e zgjedhjeve ndodhi në Dhjetor 2006, kur zgjedhjet lokale, u shtynë sërish pas një marrëveshje mes partive politike në Presidencë dhe u mbajtën në Shkurt 2007. Shkaku i shtyrjes ishte këmbëngulja e Edi Ramës si kryetar i PS se problemi i certifikatave me të cilat votonin shqiptarët nuk jepte siguri për zgjedhje të lira dhe se ato mund të vidheshin. Edhe pse dukej më shumë paranojë, Rama ja arriti t’i mbajë peng partitë politike dhe t’i shtyjë zgjedhjet. Edhe në atë kohë, siç po ndodh me Ramën sot, Berisha deklaronte se nuk do të kishte shtyrje zgjedhjesh dhe se ato do të mbaheshin në datën e caktuar. Por në fund, vendosi të pranojë shtyrjen.
Rasti tjetër, i këtyre 26 viteve ka qenë ai i bojkotit të zgjedhjeve. Braktisja e zgjedhjeve ka ndodhur në një rast, që rezultoi fatal, më 26 Maj 1996. Në zgjedhjet e përgjithshme të asaj dite, në shumë prej zonave të vendit nisën akte dhune dhe presioni ndaj opozita vendosi të largohet nga zgjedhjet pak pas mesditës. Opozita e mori vendimin në konsultim, midis PS, PSD, PAD – së, por braktisja e zgjedhjeve qe deklaruar në mëngjes nga kreu i Ballit Kombëtar, Abaz Ermenji. Si pasojë e kaosit të krijuar, PD fitoi thuajse në të gjitha zonat, duke humbur vetëm 5 nga thuajse 115 zona elektorale. Fitorja e thellë dhe e pakontrolluar e PD, që u shoqërua edhe nga dhuna e 28 Majit ndaj protestuesve dhe drejtuesve të opozitës në Sheshin Skënderbej, detyroi SHBA dhe Europën t’i kërkojnë Berishës përsëritjen në së paku 40 zona elektorale. Berisha refuzoi dhe KQZ vendosi përsëritjen vetëm në 17 zona. Opozita nuk hyri as në zgjedhje dhe as në Parlament. I vetmi që u ul aty ishte një deputet i Librazhdit i quajtur Sali Rexhepi, që e shpalli veten opozitë. Parlamenti funksionoi ca muaj, por ai çoi në krizën e vitit 1997 që u zgjidh me një marrëveshje mes partive dhe me zgjedhje të parakoshshme që u mbajtën në Qershor 1997. Zgjedhje që i fitoi opozita e majtë.
Një rast i dytë i rivotimit ishte ai i zgjedhjeve të 2003, në Tiranë. Në zgjedhje sërish u bë kaos dhe kandidati i PD, Spartak Ngjela e dërgoi në gjykatë çështjen. Gjykata vendosi ripërsëritjen e zgjedhjeve në 1/3 e zonave elektorale të Tiranës dhe zhvleftësoi rezultatin e tyre në favor të Edi Ramës. Por në raundin e dytë opozita nuk mori pjesë masivisht duke akuzuar qeverinë për manipulim.
Zgjedhje të parakohshme, veç vitit 1997 u realizuan edhe në 1992. Pas zgjedhjeve të 31 Marsit 1991, ku PPSH fitoi 2/3 vendi u paralizua nga kriza ekonomike dhe greva e BSPSH – së. Dy muaj pas krijimit të saj, Qeveria Nano 2 që mbështetej nga 2/3 e votave u detyrua të pranonte një marrëveshje për zgjedhje të parakohshme dhe për ngritjen e një qeverie me bazë të gjerë. Qeveria u quajt e Stabilitetit, por ajo funksionoi vetëm 6 muaj. Në Dhjetor 1991, PD i tërhoqi Ministrat e saj nga Qeveria dhe në vend u ngrit një Qeveri teknike e drejtuar nga Kryeministri Vilson Ahmeti. Qeveria funksionoi 4 muaj dhe realizoi zgjedhjet e parakohshme të 22 Marsit 1992 që i fitoi Partia Demokratike e Sali Berishës.
Po kështu më 1997, si pasojë e krizës së piramidave, Qeveria Meksi ra dhe PD nuk ngriti një qeveri të re. Forcat politike ranë dakort që vendi të shkonte në zgjedhje të parakohshme dhe deri në zhvillimin e tyre vendi u administrua nga një Qeveri me bazë të gjerë e quajtur Qeveria e Pajtimit Kombëtar me Kryeministër, Bashkim Finon!
Në zgjedhjet e vitit 2001 në Shqipëri ndodhi një fenomen i papritur. Veç ndërhyrjeve të policisë, aparatit shtetëror, shërbimit sekret, në fund hyri në veprim Gjykata Kushtetuese. Nga 100 zona, 28 u vendosën në Gjykatë, ku kjo e fundit njohu në të gjitha rastet fitues kandidatët e PS. Shtypi zbuloi në atë kohë se kutitë e votimit qenë përpunuar në bodrumet e Pallatit të Kongreseve ku ishin në ruajtje nga policia.
Shumë zgjedhje janë konsideruar të papranueshme dhe forcat politike humbëse kanë refuzuar ta njohin rezultatin e tyre. Më 31 Mars 1991, PD vendosi të mos hyjë në parlament pas vrasjeve të 2 Prillit në Shkodër. Neritan Ceka, kreu i grupit të saj, lexoi një deklaratë bombastike në parlament dhe iku. U desh ndërhyrja ndërkombëtare dhe nisja e një komisioni hetimor parlamentar që PD të kthehej në sallë.
Po kështu u opozita e majtë refuzoi të njohë zgjedhjet e 1996 dhe nuk hyri në parlament.
PD refuzoi të njohë zgjedhjet e 2001 dhe nuk hyri në Parlament, ndërsa PS, refuzoi të njohë zgjedhjet e 2009 dhe nuk hyri në Parlament.
Nuk ka asnjë dyshim që zgjedhjet më të këqia në historinë e Shqipërisë kanë qenë ato të vitit 1996, ato të vitit 2000 dhe 2001 si dhe pjesërisht ato të vitit 2003. Zgjedhjet e vitit 1997 ishin më të jashtëzakonshmet. Në to, mazhoranca e djathtë nuk arriti të bëjë fushatë në më shumë se gjysmën e vendit.
Zgjedhjet më të mira kanë qenë ato të vitit 1992 si dhe ndoshta votimi më i mirë në historinë e Shqipërisë, ai i Referendumit për Kushtetutën në 4 nëntor 1994!
Shqipëria ka hyrë sërish në një moment problematik zgjedhjesh. Duket sikur zgjedhjet janë mallkimi më i madh i këtij vendi nga i cili nuk shpëtojmë dot. Dhe pa zgjedhje të lira, vështirë se ky vend mund të stabilizohet dhe të ecë përpara.