Si shpërndahen mandatet në parlamentin e ardhshëm? – Exit shpjegon

Si shpërndahen mandatet në parlamentin e ardhshëm? – Exit shpjegon

Marrëveshja Rama-Basha më 18 maj, lejon regjistrimin e partive opozitare në zgjedhje, por jo të koalicioneve, ndaj më 25 qershor të gjitha partitë politike do të garojnë te vetme.

Ato duhet të kalojnë pragun prej 3 për qind në një zonë të vetme si kusht për të fituar ndonjë mandat në Kuvend në atë zonë.

Gjithsej janë 12 zona elektorale në përputhje me 12 qarqet e vendit. Qytetarët do të votojnë për të zgjedhur 140 deputetë. Mandatet do të shpërndahen si më poshtë:

Berat: 7 mandate

Dibra: 6 mandate

Durrës: 14 mandate

Elbasan: 14 mandate

Fier: 16 mandate

Gjirokastra: 5 mandate

Korçë: 11 mandate

Kukës: 3 mandate

Lezhë: 7 mandate

Shkodër: 11 mandate

Tiranë: 34 mandate

Vlorë: 12 mandate

Natyrisht, jo të gjitha partitë fitojnë vota mjaftueshëm sa për të kaluar pragun e votimit prej 3 për qind. Si dhe jo të gjitha partitë fitojnë numër të plotë votash të përputhëshme me numrin e votave të nevojshme për një mandat.

Ndaj, për shpërndarjen e votave të marra nga partitë politike të cilat nuk përkthehen në mandate apo votat e mbetura pas fitimit të një mandati përdoret metoda D’Hondt, një algoritëm i përdorur për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2009.

Shembulli i mëposhtëm e ilustron qartë këtë metodë. Numri i votave të marra nga partitë bazohet në rezultatet e votimit brenda zonës zgjedhore të Tiranës në vitin 2013. Gjatë këtyre zgjedhjeve, vetëm tre parti—PS, PD dhe LSI—fituan vota mbi pragun e kërkuar nga Kodi Zgjedhor, prandaj këto parti janë të vetmet që mund të konkurojnë për të marrë mandate në këtë qark.

Metoda D’Hondt ndan numrat e votave përmes një emëruesi në rritje duke filluar në 1, 2, 3, etj. 34 numrat më të lartë, të theksuar në të gjelbër, tregojnë shpërndarjen e mandateve për Tiranën, nëse partitë do të konkuronin pa koalicione.

Shpërndarja e mandateve në qarkun e Tiranës sipas metodës D’Hondt dhe rezultateve të vitit 2013

Numri i përgjithshëm i votave të hedhura në qarkun Tiranë ishte 451 407. Me 34 mandate që ka ky qark, nevojiten 13 276,7 vota që një parti të fitojë një mandat. Kjo do të thotë që në mënyrë proporcionale PS do të fitonte 15,0, PD 11,4 dhe LSI fitoi 2,7 vende. Totali ështē 29.1 vende.

Megjithatë, për shkak të metodës D’Hondt, që i rishpërndan “mbetjet” (në këtë rast 4,9 vende) mes partive që kanë kalaur pragun prej 3 për qind, shpërndarja përfundimtare e mandateve në këtë rast do të ishte PS 18, PD 13, dhe LSI 3 deputetë.

Kjo metodë e shpërndarjes do të zbatohet në të 12 zonat zgjedhore të vendit, me ndryshim vetëm në numrin e nevojshëm të votave që duhen për të fituar një mandat në çdo qark, i cili llogaritet në bazë të numrit të votuesve dhe mandateve të caktuar për çdo qark.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>