Për më tepër se 10 vite Ilir Rrapaj drejtoi në qytetin e Peruxhias në Itali një kompani ndërtimi me vetëm një të punësuar. Atë e kishte themeluar së bashku me dy të afërm të tij në vitin 2000 me kapital 1,500 euro.
Pas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e qershorit 2013, ai u kthye në Shqipëri dhe vendosi kontakte me Ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, me të cilin ka pasur takime të shpeshta ku kanë marrë pjesë edhe biznesmenë italianë, të interesuar në tregun e shërbimeve mjekësore.
Dy vjet pas rikthimit, me anë të një kompanie të regjistruar në Kosovë, Rrapaj u shpall fituesi kryesor i një koncesioni prej 100 milionë dollarësh.
Nëpërmjet kompanisë së tij Investital LLC, e cila ka një kapital prej 1,000 eurosh dhe është e regjistruar në Prishtinë, Rrapaj zotëron 40% të aksioneve të një bashkimi kompanish italiane, të cilat fituan tenderin për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale.
Ortakët e Rrapajt në konsorcium janë tre kompani nga rajoni i Umbrias, përfshirë Servizi Italia, e cila ka një eksperiencë 35-40 vjeçare në fushën e sterilizimit dhe mbetjeve spitalore, Tecnosanimed dhe U.Jet S.r.l.
Konkurrent në tender ishin gjithashtu një grup tjetër operatorësh ekonomikë Italianë si: S.S.I, Mario Gugliemo dhe Brema Ambiente të përfaqësuar nga kompania Action Laundery me qendër në Durrës.
Konsorciumi humbës pretendoi se shpallja fitues e konsorciumit në të cilin Rrapaj kishte shumicën e aksioneve ishte i paligjshëm, pasi ai kishte dhënë ofertë që tejkalonte fondin limit. Ajo u ankua në Komisionin e Prokurimit Publik, i cili shpalli fitues grupin e kompanive ku përfshihej edhe Investital LLC.
Të dhëna të mbledhura nga BIRN sugjeruan se, që nga viti 2013, konsorciumi i Rrapajt kishte pasur kontakte të vazhdueshme me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrin Beqaj.
Mbeti e paqartë se çfarë roli luante kompania Invetital Ll.C në konsorcium, duke qenë se kishte vetëm 1 të punësuar, kapital minimal dhe në dukje zero eksperiencë në fushën e shëndetësisë.
I kontaktuar nga BIRN, Ministri Beqaj fillimisht mohoi njohjen, por pasi u vu përballë disa fotosh ku shfaqej nën shoqërinë e tij, iu rifreskua kujtesa, e pranoi njohjen me të dhe tha:
“Pas interesimit tuaj, nga hulumtimi i dokumentacionit lidhur me koncesionin e sterilizimit rezulton se z.Rrapaj është përfaqësues i një prej kompanive, pjesëtare të një prej konsorciumeve ose operatorëve ekonomikë që kanë paraqitur interes për këtë procedurë prokurimi”.
Ministria e Shëndetësisë mohoi që oferta e konsorciumit ku përfshihet Rrapaj të ishte mbi fondin limit të tenderit duke i cilësuar akuzat “shpifje”. Rrapaj nga ana tjetër refuzoi t’i komentonte kontaktet e tij me Ministrin Beqaj.
Tenderi i dyshimtë
Procedura e koncesionit 10 vjeçar me vlerë 9.6 miliardë lekë u hap më 13 shkurt 2015, me vendim të Ministrit Beqaj.
Objekti i kontratës së PPP-së ishte ofrimi i setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë sterilë, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale dhe ambienteve.
Shërbimi parashikohej të ofrohej në spitalet universitare dhe rajonale të vendit, apo dhe spitale të tjera, sipas planit të racionalizimit spitalor.
Vlera e fondit limit të koncesionit ishte arritur pas një studimi fizibiliteti të ndërmarrë nga një komision i posaçëm, i ngritur nga Ministria e Shëndetësisë, që tha:
“Është marrë në studim viti 2013 dhe është vlerësuar numri total i ndërhyrjeve kirurgjikale dhe janë përllogaritur përafërsisht shpenzimet e kryera në blloqet operatore, kryesisht në spitalet rajonale dhe ato universitare, të cilët kanë aktivitet të shkuar kirurgjikal.
Ky koncesion do të trajtohet sipas formulës “Pay and Use,” e cila nënkupton se, kompania që do të kryejë shërbimin do të paguhet për njësi, që në këtë rast është ndërhyrja kirurgjikale”
Ministria sqaroi më tej se analiza e situatës ishte kryer pasi kishte mbledhur informacion nëpërmjet një pyetësori dhe kishte arritur në përfundimin që sistemi i menaxhimit, sterilizimit dhe mirëmbajtjes së sallave kirurgjikale apo instrumenteve kishte probleme serioze.
Sipas ministrisë, menaxhimi ishte shumë i kushtueshëm për shkak të numrit të lartë të punonjësve të përfshirë dhe shumësisë së makinerive të përdorura në çdo bllok operator.
Më 4 maj 2015, Ministria e Shëndetësisë zhvilloi procedurën e prokurimit për koncesionin dhe më 26 maj, autoriteti kontraktues publikoi renditjen e operatorëve ekonomikë.
Komisioni i Vlerësimit të Ofertave shpalli konsorciumin e përbërë nga Investital Llc, Servizi Italia S.p.a, U.Jet S.r.l dhe Tecnosanimed të parët me 73.89 pikë dhe në vendin e dytë konsorciumin e përbërë nga Action Laundry, S.S.I, Mario Gugliemo dhe Brema Ambiente me 42.83 pikë.
Konsorciumi që u klasifikua i pari, e ofroi shërbimin për 1 vit në vlerën e 1 miliardë lekë, kundrejt ofertës 753 milionë lekë të ofruar nga grupi i operatorëve të udhëhequr nga Action Laundry, që u rendit e dyta.
Kompania me qendër në Durrës pretendoi se diferenca për 10 vjet shkonte në 17.8 milionë euro. Më 8 qershor, bashkimi i operatorëve i udhëhequr nga Action Laundry iu ankua KPP-së duke kundërshtuar renditjen e operatoreve në procedurën e koncesionit si dhe kualifikimin e konsorciumit tjetër, të përfaqësuar nga Servizi Italia S.p.a.
Më 22 qershor, KPP-ja pranoi pjesërisht ankesën e Action Laundry dhe i kërkoi Ministrisë së Shëndetësisë të rivlerësonte ofertat, pasi vërente se mbledhja e pikëve në vlerësimin e parë kishte gabime matematikore.
Në vendimin prej 46 faqesh u argumentua se:
“Në respekt të parimit të transparencës dhe barazisë si dy ndër parimet kryesore të zhvillimit të procedurës së dhënies së koncesionit, autoriteti kontraktor (Ministria e Shëndetësisë) ka gabuar në mbledhjen aritmetike të pikëve në total… Sa më sipër, Komisioni i Prokurimit Publik gjykon se autoriteti kontraktues në rivlerësimin e procedurës duhet të kryejë edhe mbledhjen e saktë aritmetike të pikëve dhënë operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në këtë procedurë…”
Pas këtij vendimi detyrues, procedura e mbledhjes së pikëve u rimbajt më 28 shtator 2015, dhe pikërisht në atë ditë është shpallur fituesi ku sërish ka qenë bashkimi i operatorëve Servizi Italia, që çuditërisht, kësaj here kjo kompani mori më shumë pikë se në vlerësimin e parë.
Nga 73.98 pikë që kishte, ajo u rivlerësua me 91.03 pikë. Pra me një diferencë prej 22 pikësh më tepër. Në anën tjetër, bashkimi i operatorëve që përfaqësohej nga Action Laundry mori 45 pikë, nga 42.83 që kishte marrë në rivlerësimin e parë.
Sipas Action Laundry, rivlerësimi i dytë i pikëve nga Ministria e Shëndetësisë ka qenë sërish i pasaktë dhe i dyshimtë, pasi pikët e akorduar konsorciumit të drejtuar nga Servizi Italia qenë rritur ndjeshëm.
Action Laundry gjithashtu nënvizon që oferta e konsorciumit të drejtuar nga Servizi Italia për një periudhë 10-vjeçare tejkalon dhe fondit limit prej 9.6 miliardë lekësh.
E pyetur nga BIRN, Ministria e Shëndetësisë i hodhi poshtë pretendimet e Action Laundry si të pavërteta.
“Nuk është e vërtetë që oferta e Servizi Italia është mbi fondin limit. Këtë spekulim, e ka bërë konkurrenti tjetër, i cili ka vendosur në mënyrë arbitrare volumet vjetore të çdo grupndarjeje të llojit të ndërhyrjes kirurgjikale.
As në realitetin e shërbimit kirurgjikal në Shqipëri, dhe as në dokumentat e tenderit të garës së koncensionit nuk ekziston e dhëna se realizohen çdo vit 15 mijë ndërhyrje kirurgjikale me intesitet të lartë. Në realitet, ndërhyrjet me intesitet të lartë janë disa herë më pak. Rritja artificiale e volumit të grupndërhyrjeve me çmim të lartë për njësi është kryekëput e pasaktë.”
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë konkurrenti që është ankuar, ka “shpikur qëllimisht një shpërndarje të pavërtetë të ndërhyrjeve kirurgjikale, me qëllim krijimin e një situate të paqenë në vlerën vjetore të furnizimit të set-eve të instrumenteve kirurgjikalë të sterilizuar dhe materieleve mjekësore njëpërdormëshe të ofertës fituese.”
Ajo shtoi që vlera prej 1 miliardë lekë që pretendohet se është kosto e vjetore e shërbimit të ofruar nga Servizi Italia është e pavërtetë, por nuk saktësoi se cila është kosto e këtij shërbimi.
Pas shpalljes së vendimit të KPP-së me datë 10 korrik, kompanitë Investital Llc, Servizi Italia S.p.a, U.Jet S.r.l dhe Tecnosanimed, kanë regjistruar një kompani të re për të operuar me koncesionin, të quajtur SaniService Sh.p.k.
Edhe pse me shumë pak eksperiencë se partnerët e tjerë italianë, kompania e Rrapajt, Investital Llc merr 40 % të aksioneve të kompanisë së re SaniService Sh.p.k, Servizi Italia S.p.a 30 %, Tecnosanimed 15 % dhe U.Jet S.r.l 15 %.
Investimi i Rrapajt nëpërmjet e Investital Llc për të kontrolluar 40 % të kompanisë me koncesionin 100 milionë dollarësh është vetëm 8 mijë euro.
I lindur në vitin 1972, Rrapaj emigroi në Itali në vitet 90’ dhe u vendos në Umbria. Më 17 prill 2000, ai regjistroi në Peruxhia kompaninë Ali Pashë Tepelena SAS, një kompani në kategorinë e “artizanatit” me vetëm një të punësuar dhe një kapital prej 3 milionë liretash, të cilat më vonë konvertohen në 1549, 38 euro.
Ilir Rrapaj zotëron 50 % të aksioneve të kompanisë dhe 50 për qind kontrollohen nga i afërmi i tij Mitat Rrapaj, i cili në vitin 2007 ia dhuron ato shtetases Italiane Elisa Bulagna.
Lidhja e Rrapajt me fushën e shëndetësisë është e paqartë, edhe pse ai pretendon të këtë mbaruar studimet për mjekësi. Megjithatë, më 22 nëntor të vitit 2013, Rrapaj merr pjesë në nismën “Thuaj Po Shqipërisë”, të mbajtur në pallatin e Brigadave në Tiranë.
Fotot të siguruara nga BIRN tregojnë se në këtë konferencë që mblidhte profesionistët shqiptarë të shëndetësisë në vende të ndryshme të botës, Rrapaj përveç ministrit Beqaj ka takuar dhe kryeministrin Edi Rama.
Mbas konferencës në nëntor të vitit 2013 dhe shpalljes së koncesionit për sterilizimin e seteve dhe sallave kirurgjikale në shkurt të këtij viti, Rrapaj dhe përfaqësues të kompanive të tjera italiane, pjesë të konsorciumit fitues kanë pasur një numër takimesh në Tiranë dhe Itali me ministrin e shëndetësisë Ilir Beqaj.
Në dhjetor të vitit 2013, ministri Beqaj dhe zëvendës ministri i shëndetësisë Klodian Rrjepaj vizitojnë rajonin e Umbrias në Itali me ftesë Qarkut të Umbrias dhe Universitetit Shtetëror të Peruxhias.
Gjatë vizitës, Beqaj nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Peruxhias, po ajo që bie në sy është prezenca e Ilir Rrapajt dhe e ortakëve të tij italianë gjatë takimeve.
Beqaj e viziton disa herë rajonin e Umbrias në vitin 2014. Në dhjetor të këtij viti ai nënshkruan një memorandum bashkëpunimi me Qarkun e Umbrias, ku Rrapaj është gjithashtu prezent në takimet zyrtare, në krah të ministrit Ilir Beqaj.
“Modeli i shëndetësisë në disa rajone të Italisë, i cili është rrjedhojë e një reforme që Italia e ka filluar që në vitin 1978 na shërben si pikë referimi,” tha Beqaj gjatë nënshkrimit të Memorandumit në Tiranë me presidenten e Qarkut të Umbrias, znj. Catiuscia Marini.
Beqaj shtoi Memorandum i Bashkëpunimit është paraprirë edhe nga një Protokoll Bashkëpunimi i nënshkruar më 18 dhjetor 2013 mes :”Universitetit të Bologna-s dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me “Polo Biomedical Umbria” – e cila numëron më shumë se 20 kompani të Umbria-s të sektorit shëndetësor e biomjekësor – në mënyrë që të zhvillojnë bashkëpunimin dhe kooperimin në sektorët e logjistikës spitalore, të inxhinierisë klinike dhe shkencave veterinare.”
Tre kompanitë fituese të koncesionit për pajisjet kirurgjikale, Servizi Italia S.p.a, U.Jet S.r.l dhe Tecnosanimed janë pjesë e “Polo Biomedical Umbria,” por mbetet e paqartë nëse Protokolli i Bashkëpunimit ka luajtur ndonjë rol në procedurën e prokurimit.
Kompania e Rrapajt, Investital Llc është regjistrua në Prishtinë në korrik të vitit 2014. Në faqen e saj zyrtare, ajo përshkruhet si një agjenci investimesh, me interesa në sektorin e industrisë, turizmit dhe shëndetësisë.
Duke komentuar fotot ku shfaqet përkrah Ilir Rrapajt, ministri Beqaj pranoi që biznesmeni nga Peruxhia në të paktën një okazion zyrtar ishte i ftuar i ministrit të shëndetësisë.
“Fotoja e parë duhet të jetë shkrepur në restorantin “Sofra e Ariut” në Tiranë, në një darkë që Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, shtroi për nder të Ambasadorit Italian, z. Massimo Gaiani, dhe një grupi përfaqësuesish të Rajonit të Umbrias, këshillit drejtues akademik të Universitetit Shtetëror të Peruxhias (Università degli Studi di Perugia) dhe dhomës tregtare Confimi Impresa (Konfederata Italiane e Sipërmarrjeve Industriale të Vogla dhe të Mesme),” tha Beqaj.
Ai shtoi në një komunikim të dytë se nga nëntori 2013, deri në dhjetor 2014 ishte takuar katër herë më biznesmenin Ilir Rrapaj, në cilësinë e tij si përfaqësues Confimi Impresa.
I kontaktuar nga BIRN, Ilir Rrapaj u shpreh se fitues të koncesionit për setet kirurgjikale ishin shpallur kompanitë më të mira, duke përmendur “Servizi Italia”.
I pyetur mbi akuzat e Partisë Demokratike se në këtë koncesion një mik i kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Beqaj ishte shpallur fitues, Rrapaj tha se: “nuk më interesojnë këto gjëra dhe nuk merret me politikë,” duke shtuar se ky koncesion ka për të qenë “një sukses.”
Botuar më parë në Reporter.al më 25 nëntor 2015