Përmbatja e 41 produkteve ushqimore si qumështi dhe nënproduktet e tij, mishi, salcicet, fruta, perime, lëngje frutash, vaj ulliri, vaj misri etj, rrezikon rëndë shendetin tonë. Këto produkte janë analizuar nga organizata Albanian Food Industry (AFI) nën studimin mbi sigurinë ushqimore.
Analizat mikrobiologjike dhe fiziologjike të ushqimeve të kryera në Shqipëri dhe në Itali tregojnë se:
Nga produktet e kategorisë së mishit, 15 për qind e produkteve të analizuara janë me ngarkesë të lartë mikrobiale.
Kjo tregon se kushtet higjeno sanitare në të cilin ruhet, transportohet apo përpunohet mishi nuk janë sipas parametrave të lejuar nga normat kombëtare dhe ndërkombëtare.
20 për qind e nën produkteve të mishit (sallam parizier me feta, kremviçe klasike dhe pule, salçiçe pule) përmbajnë ngjyrues E 120. Ky element shërben për ta bërë mishin të duket sa më i freskët. Një nga produktet e mishit rezultoi pozitiv ndaj salmonelës. Salmonela është një specie patogjene ndërqelizore që kalohet nga kafsha tek njeriu. Prekja e njeriut nga salmonela mund të çojë në situata rrezikshmërie për jetën.
Një nga 8 produkte dhe nënprodukte të qumështit dy prej tyre (25 për qind) rezultuan me aflatoksinë. Alflatoksina M1 gjendet tek produktet e bylmetit dhe është një nga toksinat më të rrezikshme që ekzistojnë. Ajo mund të shkaktojë dëmtim të mëlçisë dhe kancer.
Ndërsa qumështi i fshatit i tregtuar në bidon 1,5 kilogramë rezultoi me ngarkesë të lartë mikrobiale. Kjo tregon që proçesi i mjeljes, transportit paketimit, dhe ruajtjes nuk i respekton parametrat kombëtarë dhe ndërkombëtarë.
Një nga produktet e gjalpit doli me sasi të acidit oleic më të lartë se normat e lejuara, ndërsa një nga produktet e djathit kishte sasi të acidit palmitic më të lartë se normat e lejuara.
Kjo tregon që subjekti në kundërshtim me nenin 36 të ligjit të ushqimit nuk tregon përbërësin ‘vaj palme’ në etiketë.
Përsa i përket vajrave të analizuar, parametrat e tyre rezultuan brenda normave për 80 për qind të tyre. Por për një nga vajrat e ullirit të testuara, rezultoi se parametrat e tij nuk përputhen me ato të vajit të ullirit
Përqindja e ulët e acidit oleik në të tregonte se ai nuk është vaj ulliri. Kjo tregon që subjekti në kundërshtim me ligjin tregton një produkt që etiketa nuk përputhet me përmbajtjen.
Kategoria e fruta-perime është 100 për qind pa probleme dhe me parametra brenda normave europiane.
Përsa i përket kategorisë së lëngjeve të frutave, 100 për qind e tyre rezultuan me nivelin e metaleve në përbërjen e tyre, brenda normave.
Studimi analizon edhe punën e kryer nga institucion të përfshira drejtëpërdrejtë apo në mënyrë të tërthortë me sigurinë ushqimore. Disa nga problematikat që vihen re janë:
Mangësitë në legjislacion: Ligji i ushqimit, dhe veprimtaria e të AKU-të nuk është përditësuar që në vitin 2011.
Mungojnë udhëzime e VKM për zbatimin e ligjit të sigurisë ushqimore duke krijuar konfuzion e përplasje të panevojshme kompetencash.
Reforma e re territoriale ka sjellë mbivendosje të dukshme midis Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe Bashkive të qarqeve, për monitorimin e tregjeve publike.
Mungon bashkëpunimi midis: QKR (institucioni i parë ku nis operimin biznesi, QKL (institucioni që pas regjistrimit pajis me liçencë OBU), Institut Veterianie, Drejtori e Përgjithshme Doganash dhe AKU.
Dështimi i koordinimit të këtyre institucioneve sjell edhe dështimin e gjurmueshmërisë së mallit dhe origjinës së tij.
Mungesa e burimeve njerëzore të kualifikuara: Megjithëse një fakt jo i pranuar zyrtarisht, nga intervistat e zhvilluara me operatorë të bizneseve ushqimore, qarkullimi i lartë i stafit në këto institucione bën që dhe trajnimet e kualifikimet e tyre të mos kenë vlerë.
Kjo do të thotë se mos funksionimi i sistemi të kontrollit dhe menaxhimit të sigurisë ushqimore lejon tregtimin e këtyre produkteve në treg.