Komisioni Europian ka prezantuar sistemin e ri të automatizuar aktualisht në fazën e zhvillimit, për kontrollin e kufirit, ETIAS-i, i cili pritet të fillojë në fund të vitit 2022.
Sistemi i quajtur ETIAS do të shërbejë për të filtruar qytetarët e atyre shteteve që nuk kanë nevojë për vizë për të udhëtuar në një prej 26 vendeve të zonës Schengen.
Praktikisht, qytetarët që nuk vijnë nga vendet e BE-së, por që nuk kanë nevojë për viza për të vizituar vendet e BE-së, siç është Shqipëria, përpara se të udhëtojnë do të duhet të regjistrohen online në sistem.
Autorizimi ETIAS nuk është një vizë. Shtetasit e vendeve me liberalizim të vizave, sikurse Shqipëria, do të vijojnë të udhëtojnë pa viza në BE, por thjesht do t’u kërkohet që të marrin një autorizim nëpërmjet ETIAS-it para udhëtimit të tyre.
Si mund të aplikojnë qytetarët shqiptarë?
Procesi për marrjen e një leje ETIAS për qytetarët shqiptarë është i thjeshtë dhe i shpejtë.
Aplikimi bëhet online nga çdo kompjuter apo celular që është i lidhur me internetin.
Përgjigjia zakonisht dërgohet menjëherë në adresën e postës elektronike të aplikantit.
Dokumentet që do t’i nevojiten shtetasve shqiptarë janë:
- Një pasaportë e vlefshme të paktën dhe për 3 muaj nga data kur udhëtari parashikon të vizitojë vendin;
- Një formë e vlefshme pagese për të paguar tarifën e aplikimit, të tilla si një kartë krediti ose debiti;
- Një adresë emaili për të marrë njoftime në lidhje me statusin e ETIAS të aplikantit.
Sapo të plotësohen të gjitha këto kërkesa, udhëtarët mund të vazhdojnë me aplikimin e tyre ETIAS.
Në formularin e aplikimit, përveç gjeneraliteteve, do të kërkohen dhe të dhëna për udhëtimin, të dhëna për shëndetin dhe të shkuarën e tyre në rast se kanë pasur ndonjë problem me ligjin.
Aplikantët këshillohen t’u përgjigjen këtyre pyetjeve më sa më vërtetësi që të jetë e mundur, pasi që çdo informacion në formularin e aplikimit do të kontrollohet në bazat e të dhënave evropiane të sigurisë, siç janë Interpol dhe Europol.
Nëse aplikanti zbulohet se ka shkruar informacion të pasaktë ose mashtrues, autoritetet e ETIAS kanë të drejtë të refuzojnë aplikimin.
Ky aplikim do të jetë i vlefshëm për 3 vjet për ata qytetarë që udhëtojnë për turizëm dhe biznes, por nuk vlen për ata që janë të punësuar apo kanë leje qëndrimi në një shtet pjesë së zonës Schengen.