Sistem i ri kontrolli kufitar për të vizituar vendet Schengen – Si mund të aplikojnë shqiptarët?

Nga Exit News
Sistem i ri kontrolli kufitar për të vizituar vendet Schengen – Si mund të aplikojnë shqiptarët?

Komisioni Europian ka prezantuar sistemin e ri të automatizuar aktualisht në fazën e zhvillimit, për kontrollin e kufirit, ETIAS-i, i cili pritet të fillojë në fund të vitit 2022.

Sistemi i quajtur ETIAS do të shërbejë për të filtruar qytetarët e atyre shteteve që nuk kanë nevojë për vizë për të udhëtuar në një prej 26 vendeve të zonës Schengen.

Praktikisht, qytetarët që nuk vijnë nga vendet e BE-së, por që nuk kanë nevojë për viza për të vizituar vendet e BE-së, siç është Shqipëria, përpara se të udhëtojnë do të duhet të regjistrohen online në sistem.

Autorizimi ETIAS nuk është një vizë. Shtetasit e vendeve me liberalizim të vizave, sikurse Shqipëria, do të vijojnë të udhëtojnë pa viza në BE, por thjesht do t’u kërkohet që të marrin një autorizim nëpërmjet ETIAS-it para udhëtimit të tyre.

Si mund të aplikojnë qytetarët shqiptarë?

Procesi për marrjen e një leje ETIAS për qytetarët shqiptarë është i thjeshtë dhe i shpejtë.

Aplikimi bëhet online nga çdo kompjuter apo celular që është i lidhur me internetin.

Përgjigjia zakonisht dërgohet menjëherë në adresën e postës elektronike të aplikantit.

Dokumentet që do t’i nevojiten shtetasve shqiptarë janë:

  • Një pasaportë e vlefshme të paktën dhe për 3 muaj nga data kur udhëtari parashikon të vizitojë vendin;
  • Një formë e vlefshme pagese për të paguar tarifën e aplikimit, të tilla si një kartë krediti ose debiti;
  • Një adresë emaili për të marrë njoftime në lidhje me statusin e ETIAS të aplikantit.

Sapo të plotësohen të gjitha këto kërkesa, udhëtarët mund të vazhdojnë me aplikimin e tyre ETIAS.

Në formularin e aplikimit, përveç gjeneraliteteve, do të kërkohen dhe të dhëna për udhëtimin, të dhëna për shëndetin dhe të shkuarën e tyre në rast se kanë pasur ndonjë problem me ligjin.

Aplikantët këshillohen t’u përgjigjen këtyre pyetjeve më sa më vërtetësi që të jetë e mundur, pasi që çdo informacion në formularin e aplikimit do të kontrollohet në bazat e të dhënave evropiane të sigurisë, siç janë Interpol dhe Europol.

Nëse aplikanti zbulohet se ka shkruar informacion të pasaktë ose mashtrues, autoritetet e ETIAS kanë të drejtë të refuzojnë aplikimin.

Ky aplikim do të jetë i vlefshëm për 3 vjet për ata qytetarë që udhëtojnë për turizëm dhe biznes, por nuk vlen për ata që janë të punësuar apo kanë leje qëndrimi në një shtet pjesë së zonës Schengen.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>