Sllovakia do të rigjykojë çështjen e gazetarit të vrarë

Nga Alice Taylor
Sllovakia do të rigjykojë çështjen e gazetarit të vrarë

Gjykata e Lartë e Sllovakisë ka rrëzuar vendimin e pafajësisë së biznesmenit Marian Kocner, i cili u akuzua për urdhërimin e vrasjes së gazetarit investigativ, Jan Kuciak dhe të dashurës së tij, Martina Kusnirova.

Kocner u lirua nga akuzat në shtator 2020 për shkak të një mungese të supozuar të provave.

Çështja u apelua para Gjykatës së Lartë, e cila vendosi që gjykata e ulët nuk kishte marrë parasysh të gjitha provat dhe rrethanat në çështje. Kjo, sipas saj, kishte çuar në nxjerrjen e një vendimi të pasaktë.

Çështja tani do t’i referohet Gjykatës Speciale Penale për një rigjykim.

Kocner akuzohet se ka urdhëruar bashkëpunëtoren e tij, Alena Zsuzsova, të rregullojë vrasjen e Jan Kuciak. Zsuzsova dyshohet se ia kërkoi Zoltan Andruskos ta rregullonte vrasjen. Ndërkohë, ky i fundit ia ngarkoi Tomas Szabo dhe Miroslav Marcek.

Familja e viktimave u shpreh se ata kishin dyshuar te Kocner që nga dita e parë.

Kuciak, i cili ishte vetëm 27 vjeç kur u vra me armë, po hetonte Kocner në kohën e vrasjes. Ai kishte zbuluar miliona euro transferime të dyshimta dhe të rremë, si dhe veprime kriminale të lidhura me pushtetin politik.

Kocner madje e kishte kërcënuar përmes telefonit në të kaluarën.

Zsuzsova aktualisht po vuan një dënim për urdhërimin e një vrasjeje tjetër. Kocner po vuan një dënim 19-vjeçar për falsifikim dhe mashtrim.

Reporterët pa Kufij reaguan ndaj lajmit, duke e quajtur një hap të mirëpritur drejt drejtësisë, që është jetike për lirinë e shtypit në Evropë.
“Sllovakia nuk mund të përballojë një devijim tjetër nga çështja e së vërtetës në lidhje me vrasjen,” shtoi RSF.

Zëvendës Drejtori i Institutit Ndërkombëtar të Shtypit, Scott Griffen ishte në gjykatë kur u lexua vendimi. Ai vuri në dukje se familjet e Kuciak dhe Kusnirova u lehtësuan nga vendimi.

Vrasjet, të cilat ndodhën në shkurt 2018, shkaktuan tronditje në Sllovaki. Ato ndezën protesta në të gjithë vendin, që rezultuan në dorëheqjen e Kryeministrit Robert Fico dhe gjysmës së kabinetit të tij.

Vdekja e tyre erdhi vetëm katër muaj pas vrasjes së gazetares hulumtuese Daphne Caruana Galizia në Maltë. Askush nuk është dënuar në lidhje me vrasjen e saj deri më sot.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>