Ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca i ka bërë apel qytetarëve që të rinovojnë kartat e skaduara të identitetit, para zgjedhjeve të 25 prillit.
Duke njoftuar se të mërkurën ka biseduar virtualisht me Komisionerin Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashin, Soreca shkroi në Twitter:
“Ka nisur puna për zbatimin e kodit të ri zgjedhor sipas marrëveshjes së 5 qershorit. Por rinovimi i shumë kartave të identitetit biometrike është një sfidë e madhe. Ne u bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarëve që t’i rinovojnë ato sa më parë para ditës së zgjedhjeve.”
Shqipëria filloi përdorimin e pasaportave dhe ID-ve biometrike në vitin 2009, dhe çdo dokument vlen për 10 vjet. Në vitet 2019-2020 një numër i madh pasaportash dhe kartash identiteti kanë skaduar dhe duhen rinovuar.
Më herët dhe ministri i Brendshëm Çuçi dhe ambasadorja Kim kanë bërë thirrje për rinovimin e kartave.