Ambasadori Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca dhe homologia e tij amerikane, Yuri Kim, janë takuar sot me anëtarët e Gjykatë Kushtetuese të Shqipërisë.
Në një postim në Twitter, Soreca shprehet se bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese është një arritje e madhe dhe e afron Shqipërinë drejt konferencës së parë ndërqeveritare, që do të thotë hapja në praktikë e negociatave me BE-në.
Soreca dhe Kim falenderuan anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që pranuan të marrin këtë detyrë dhe i ka uruar atyre punë të mbarë mbi çështjet e rëndësishme që Gjykata do të shqyrtojë.
“Sot sëbashku me ambasadoren amerikane Yuri Kim takuam anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. I falenderova që kanë ndërmarrë një sfidë kaq të vështirë në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë. I urova më të mirën mbi çështjet e rëndësishme që Gjykata do të shqyrtojë së shpejti. Bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese ishte një arritje e madhe e bërë e mundur nga angazhimi politik i Presidentit dhe Parlamentit, dhe puna efektive e KED. Shqipëria ka bërë një hap të rëdësishëm drejt konferencës së parë ndërqeveritare. BE do të vijojë mbështetjen e saj të fortë për të gjitha institucionet e drejtësisë në mënyrë që reforma në drejtësi të ketë rezultatet që presin qytetarët shqiptarë.”
Gykata Kushtetuese përbëhet nga 7 anëtarë. Tre prej tyre janë zgjedhur nga Presidenti (Marsida Xhaferllari, Përparim Kalo dhe Sonila Bejtja) dhe Kuvendi (Fiona Papajorgji, Elsa Toska dhe Altin Binaj). Ndërkohë kryetarja në detyrë është Vitore Tusha, të cilës i ka mbaruar mandati.
Disa nga çështjet që priten të shqyrtohen nga Gjykata janë ligji për Teatrin Kombëtar, zgjedhjet e 30 qershorit, ndryshimet e Kodit Zgjedhor si dhe mosdekretimi i Sandër Lleshajt dhe Gent Cakajt në postet e ministrave.