
Ambasadori i BE-së Luigi Soreca ka përshëndetur ndihmën që Bashkimi Europian i ka dhënë Shqipërisë në luftën kundër Covid-19.
Duke shpërndarë një video nga ceremonia e dhurimit të 30 respiratorëve në 6 nëntor, Soreca shkruan:
“Krenar që BE-ja mund të ndihmojë mjekët dhe infermierët shqiptarë në luftën e tyre të përditshme kundër virusit.
Të gjithë kemi nevojë t’i ndihmojmë. Ne inkurajojmë të gjithë qytetarët shqiptarë që të mbajnë maska dhe të mbajnë distancën shoqërore. Lufta kundër COVID19 mund të fitohet vetëm së bashku. #Bashkëmëtëfortë 🇦🇱🇪🇺.”
Kjo është ndihma e 6-të e BE-së për Shqipërinë gjatë pandemisë.
BE dhuroi në fillim të pandemisë 50 milionë euro, ku 4 milionë euro ishin pajisje shëndetësore, 11 milionë euro ishin mjete për mbrojtjen sociale dhe 35 milionë euro shkuan për rimëkëmbjen ekonomike.
Këto ndihma janë pjesë e paketës që Bashkimi Europian ka premtuar për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Një pjesë e pajisjeve spitalore, si autoambulanca, ventilatorë të lëvizshëm dhe njësi të specializuara mjekësore për trajtimin e rasteve të rënda me koronavirus, u shpërndanë në qershor 2020.