Ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca përshëndeti, të mërkurën, bashkëpunimin e policisë shqiptare me policitë e 33 vendeve të tjera në një operacion kundër krimit të organizuar në Europën Jugore.
Operacioni i quajtur SEE JAD u krye me mbështetjen e agjencive ligjzbatuese të BE-së Europol, Frontex dhe Eurojust.
Si pjesë e operacionit në vend u arrestuan shtatë shqiptarë dhe të huaj, si dhe u proceduan 8 shqiptarë dhe të huaj. Atyre iu sekuestruan armë zjarri dhe municione.
Në total gjatë katër ditëve të operacionit u arrestua 166 persona:
- 17 persona për trafikim të armëve të zjarrit ose posedim i paligjshëm i tyre;
- 73 persona për kontrabandim migrantësh ose imigracion të paligjshëm;
- 37 persona për trafik droge;
- 7 persona për trafik droge dhe armësh;
- 12 persona për falsifikim dokumentesh;
- 19 persona për krime të tjera;
- 1 i arrestuar me urdhër arresti ndërkombëtar.
Operacioni katërditor u organizua nga Europol, me fokus parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e imigracionit të paligjshëm dhe trafikimin e armëve të zjarrit dhe drogës, të cilat janë përparësitë kryesore të Platformës Evropiane Multidisiplinare Kundër Kërcënimeve Kriminale (EMPACT), e cila mbështeti këtë operacion.