Emërimi i anëtarit të gjashtë të Gjykatës Kushtetuese nga Presidenti duke sjellë kështu funksionalitetin e saj, është konsideruar arritje e madhe për Shqipërinë nga ambasadori i BE në Tiranë, Luixhi Soreka dhe ai gjerman, Peter Zingraf
I dërguari i Brukselit në Shqipëri thotë në reagimin e tij se bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese plotëson një nga kushtetet për çeljen në praktikë të negociatave me BE. Soreka thekson se ky vendim siguron funksionalitetin e plotë të gjykatës ndërkohë që tre vende në Gjykatë janë ende vakante.
“Sot Presidenti Ilir Meta ka dekretuar Z. Përparim Kalo si Anëtarin e 6-të të Gjykatës Kushtetuese. Z. Kalo do të betohet nesër nga Presidenti. Ky vendim shumë i rëndësishëm siguron tani funksionalitetin e plotë të Gjykatës. Ne përgëzojmë Presidentin, Parlamentin, KED dhe institucionet e tjera për arritjen e një rezultati kaq të rëndësishëm, i cili është një arritje e konsiderueshme për Shqipërinë, qytetarët e saj dhe për reformën në drejtësi. Ai gjithashtu përfaqëson një hap kryesor për të kompletuar listën e kushteve të nevojshme për të nisur tryezën e parë ndërqeveritare për bisedimet e pranimit midis BE dhe Shqipërisë.”, shkruan Soreka.
Ambasadori gjerman e përshëndeti gjithashtu rikthimin në punë të Gjykatës Kushtetuese duke e quajtur gur kilometrik në rrugën drejt konsolidimit të drejtësisë.
“Zgjedhja e sotme e z. Përparim Kalo si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese është një gur kilometrazhi në rrugën drejt konsolidimit të shtetit ligjor në Shqipëri. Falenderimi im shkon për të gjitha institucionet, që ditët e fundit bashkëpunuan në mënyrë konstruktive në interes të kësaj çështjeje. Një gjykatë kushtetuese funksionale është kolonë qendrore në ekulibrin institucional dhe ndarjen e pushteteve në Shqipëri. Gëzohem që në këtë mënyrë është përmbushur një kusht qendror prej konkluzioneve të Këshillit të Bashkimit Evropian në mars 2020 për zhvillimin e konferencës së parë të anëtarësimit”
Presidenti Meta emëroi sot anëtarin e gjashtë të Gjykatës Kushtetuese, duke plotësuar kështu kuorumin e kërkuar që Gjykata të Mund të shqyrtojë çështje dhe japë vendime.
Gjykata Kushteteuese ka 9 anëtarë dhe ligji parashikon që vendimet të merren me shumicën e të gjithë anëtarëve.
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese merren me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve të saj. Abstenimi nuk lejohet.”
Pra që një vendim të miratohet kërkohen minimumi 5 vota pro. Në kushtet aktuale, kjo do të thotë se 6 anëtarët e emëruar duhet të jenë unanim pro ose vetëm një kundër, marrjes së një vendimi.