Sot më 24 shkurt është afati i fundit për rregjistrimin e koalicioneve zgjedhore. Sipas mediave, Partia Demokratike do të rregjistrohet në koalicion me Partinë Republikane, PDIU, LZHK dhe me disa parti të tjera të vogla.
Por si do të funksionojnë koalicionet sipas ndryshimet të Kodit Zgjedhor?
Sipas modelit të mëparshëm të koalicioneve, partitë që marrin pjesë në zgjedhje kishin të drejtë të bënin lirisht koalicione zgjedhore mes tyre, pa asnjë lloj kufizimi.
Mjafton që ato të njoftonin me një letër Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe koaliconi quhej i formuar. Por pavarësisht se bënin pjesë e një koalicioni, partitë garonin njësoj sikur të mos ishin fare në koalicion.
Kështu ato garonin prapë kundër njëra- tjetrës, secila me një listë të veçantë kandidatësh dhe në fletëvotim qytetarët votonin vetëm partitë e jo koalicionet.
Kemi të bëjmë, pra, me një koalicion vetëm në emër, pa asnjë detyrim në praktikë.
Ndryshimet kanë zëvendësuar këtë model me lista të veçanta koalicionesh me një model me koalicione me listë të përbashkët kandidatësh.
Në këtë model të ri, partitë në koalicion duhet të garojnë me një listë të përbashkësht kandidatësh dhe të regjistrohen si subjekt i vetëm zgjedhor.
Pra, në këtë rast, qytetarët në fletëvotim votojnë vetëm koalicionin , dhe jo partitë e koalicionit, veç e veç.