Partia Demokratike e quajti sot provë të dështimit të SPAK-ut dhe reformës në drejtësi, vendimin e sotëm të SPAK për të mos hetuar grupin “Bajri” dhe për t’ia kaluar dosjen Prokurorisë së Shkodrës.
Përmes Sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhi:
“SPAK u krijua me fokus të veçantë luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, por rastet konkrete, po e faktojnë si një shtojcë të Qeverisë në mbrojtjen e zyrtarëve të korruptuar dhe bandave kriminale.
Pas refuzimit për të hetuar dosjen e zgjedhjeve në Dibër, refuzimi për të çuar para drejtësisë organizatën mafioze me lidhje shtetërore të Bajrave në Shkodër, është një tjetër provë e dështimit të SPAK.”
Gazment Bardhi tha se ‘e gjithë Shkodra e dinë se Bajrat janë një organizatë mafioze, përgjegjëse për disa krime të rënda të kryera brenda dhe jashtë vendit’, dhe se nëse SPAK nuk heton Bajrat dhe organizatat të tilla kriminale, nuk heton vjedhjen e votave, nuk heton korrupsionin në rritje të Qeverisë, atëherë ekzistenca e këtij institucioni bëhet e panevojshme.