Gjyqi i portaleve sensacionale ndaj “spiunes ruse” më famëkeqe në Shqipëri—pra mua— ka vazhduar edhe sot. Zbulimet më të fundit nga gjirizi i shtypit shqiptar kanë nxjerrë në pah se, me sa duket, fakti që artikujt e mi gjenden në faqen e internetit të Tsarizm—një faqe amerikane, pa asnjë farë lidhje me Rusinë— do të thotë se unë jam, pa dyshim, e lidhur me teorinë e çuditshme se ne po përpiqemi të rrëzojmë nga pushteti Edi Ramën me ndihmën e Rusisë.
Por këto portale po luajnë një lojë të rrezikshme, sepse teksa thonë se, meqë unë jam një kontribuese e kësaj faqeje, ngaqë artikujt e mi shfaqen atje, ata janë, në fakt, duke bërë autogol. Arsyeja është e thjeshtë: gjatë 12 muajve të fundit, unë kam qenë “kontribuese” në të njëjtat portale (nuk dua t’i quaj gazeta, pasi kjo do të nënkuptonte se ata janë gazetarë, gjë që nuk është e vërtetë), të cilat po përpiqen të më diskreditojnë mua.
Për më tepër se një vit, këto faqe në online kanë marrë artikujt dhe fotografitë e mia, i kanë përkthyer në gjuhën shqipe dhe i kanë publikuar pa dijeninë apo lejen time—gjë që në të vërtetë është e paligjshme dhe shkelje e të drejtave të mia mbi pronën time intelektuale.
Gazeta Tema ka zgjedhur të publikojë punën time në shumë raste, pa lejen time, siç kanë bërë edhe Java dhe AlpeNews. Unë e kam kontaktuar Temën disa herë dhe i kam kërkuar që t’i hiqnin artikujt e mi nga faqja e tyre, por ata kanë refuzuar të bëjnë këtë, përsëri në shkelje të ligjit.
Këto portale janë kaq mashtruese, saqë jo vetëm që shpikin lajme false, krejtësisht të rreme, gënjeshtra fund e krye, por ato kopjojnë punën e njerëzve dhe e vendosin në faqet e tyre për të mbështetur dhe përhapur pikëpamjet e tyre. Sipas logjikës së tyre, i bie që unë të jem patjetër edhe kontribuese e këtyre faqeve dhe të punoj për to, apo jo? Nëse është kështu, faleminderit shumë, po pres të kemi një kontratë, të më paguani, të më jepni përfitime, një bonus, një përqindje të fitimeve që keni bërë nga artikujt e mi, po edhe një ftesë për në festën e Krishtlindjes.
Kam një surprizë për të gjitha këto media qeveritare: shefi i tyre është “agjenti” im dhe ai përhap propagandën time tek më shumë se një milion njerëz në profilin e tij në Facebook.
Deri dy ditë më parë, në të gjitha botimet pa leje të artikujve të mi, këto portale më përshkruanin si “blogerja e famshme angleze”, që e donte Shqipërinë dhe punonte për të promovuar bukuritë dhe njerëzit e saj në botë. Por gjithçka ndryshoi kur unë guxova të kritikoja atë që nuk më pëlqen në Shqipëri—korrupsionin dhe abuzimin e qeverisë.
Sot, pasi u ra euforia, duke qenë se unë nuk e ula kokën ndaj gënjeshtrave të tyre, madje kam nisur veprimet ligjore kundër tyre, njerëzit pas këtyre faqeve sensacionale nisën një tjetër seri gënjeshtrash. Pa fakte dhe në dëshpërimin për të vazhduar fushatën e shpifjeve ndaj një gazetareje që kundërshton korrupsionin, ata vendosën të merren me drejtuesin e faqes Tsarizm, L. Todd Wood, një ish-pilot i ushtrisë së SHBA-ve. Woods nuk ka asnjë lidhje me Rusinë dhe, në fakt, shkruan artikuj që e kritikojnë rëndë Rusinë, në gazeta si Washington Times, që është ca më e respektuar se sa JavaNews apo AlpeNews në fushëne gazetarisë.
Këta njerëz, të fiksuar se emri “Tsarizm” tingëllon rusisht dhe, rrjedhimisht, faqja duhet të jetë ruse, nuk arrijnë as të përpiqen fare pak për të vërtetuar ca fakte të thjeshta. Mbi bazën e kësaj logjike qesharake, mos duhet të them edhe unë se JavaNews është e lidhur me qeverinë indoneziane, apo se Tema financohet nga Bashkia Tema në Gana, dhe se AlpeNews është pasqyrim i freskët i realitetit që vjen drejtpërdrejt nga Alpet e Zvicrës?
Në një tjetër idiotësi të tyre, këta njerëz e lidhin Zotin Woods me një person të quajtur Yuri Vanetik, i cili, sipas tyre, është një shtetas rus. Artikulli në këtë lidhje jep hollësi që nxjerrin në pah një fushatë shpifjesh kundër evropiano-lindorëve—shpifje që hidhen poshtë me argumente dhe që duket qartë se rrënjët i kanë te racizmi dhe te ndjenjat kundër Evropës Lindore. Z. Vanetik është në fakt nga Ukraina, që është është një vend krejtësisht i ndryshëm nga Rusia. Madje shumëkush do të vinte në dukje se këto dy vende as nuk e pëlqejnë shumë njëri-tjetrin dhe janë prej disa vitesh në përplasje me njeri-tjetrin. Redaktorëve të këtyre portaleve po u tregojmë në hartë këtë fakt për t’i ndihmuar të davarisin paqartësitë në mendjet e tyre.
Gjatë diskutimit me një drejtues të njërit prej këtyre portaleve para dy ditësh, ai vazhdonte të këmbëngulte se, duke qenë se partneri im ishte i pranishëm në protestat e fundit dhe duke qenë se ai është më i gjatë se pothuajse gjithë të tjerët në turmë, ai duhet të jetë truproje. Unë u vura në dukje, sikur po ia shpjegoja një foshnjeje, se në të vërtetë ka dhjetëra mijëra njerëz në ato foto dhe nuk janë të gjithë truproja të Lulzim Bashës. Partneri im është 195 cm i gjatë, unë jam 188 cm, por kjo nuk do të thotë se ne jemi truproje, roje sigurie, apo në ndonjë profesion të ngjashëm. Kjo thjesht do të thotë se ne jemi aq të gjatë sa jemi.
Pjesëmarrja në një protestë nuk është krim, madje në fakt është një ushtrim i së drejtës demokratike të individit. Çfarë arsyetimi komunist, mbeturinë, i tharë e i shpëlarë, është ky që njeriu ta quajë tjetrin fajtor pse ka marrë pjesë në një protestë? Nëse gazetaria në këtë vend ka ardhur në fazën ku profesioni i dikujt përcaktohet nga gjatësia e personit, atëherë, sinqerisht, ka shumë pak shpresë që ju të formuloni ndonjë argument tjetër racional apo inteligjent.