Stadiumi i Bosios dhe vazhdimi i një historie

Nga Artan Raça
Stadiumi i Bosios dhe vazhdimi i një historie

Duke qënë se dua që ky shkrim të lexohet i gjithi si një histori, ashtu si edhe e fillova ditë më parë, po e vazhdoj ekzaktësisht aty ku edhe arkitekt Casamonti e ka lënë, tek shënimi që ai bëri në fund të artikullit të tij. Ai shprehej për mungesën e “syve” për të parë se përdorimi prej tij i qilimave jeshil të përdorur më parë tek kulla “4 EverGreen” si qilima të kuq tek Stadiumi, qenka një karakteristikë e gjuhës arkitekturore dhe jo një përsëritje. Dua t’i përgjigjem me pyetje: atëhere, a mos duhet të presim që në projektin tuaj tjetër në Tiranë të kemi një “4 EverBlue” me qilima dhe përsëri të thoni se kjo nuk është përsërtje? Të më falni, por këtu mendoj se kjo nuk është çështje kulturore por çështje inteligjence, madje një test i tillë.

Ndërsa për projektin “Torre delle Arti” Milano, unë besoj se nuk kemi të bëjë me gjuhën e të njejtit autor, por me autoreferencialitetin konceptual të veprës, qeë ndodh në arkitekturë. Por duhet ta pranojmë se kjo është cektësia më shqetësuese për arkitekturën dhe jo ajo e debatit mbi të. Sepse kjo cektësi ndikon direkt mbi jetën e qytetit dhe të qytetareve të tij, duke bërë të cekët nivelin e së bukurës e duke mos sjellë asnjë kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e kushteve të tyre.

Por unë e di pse ndodh përsëritja: nga nxitimi, mungesa e kohës (që në këtë zanatin tonë, me sa e njoh është shumë punëprishëse), apo një lloj dembelizmi profesional i momentit, njëkohësisht bashkuar me lodhjen ndaj projektit, i cili çon në zbehjen e fantazisë, si dhe mungesa e respektit ndaj investitorit e qytetit. Janë këto të gjitha, apo njëra prej tyre, shkaqet që çojnë në zgjidhjen e shkurtër nga “4everGreen” në “4everRed” me të njëjtët qilima, por me ngjyra të ndryshme.

Unë mendoj se profesioni i arkitekturës, siç po pranohet botërisht, ka rënë në krizë, sepse i anestizuar nga skizofrenia e ndërtimit dhe debatit brenda vetes, ai po e bën gjithnjë e më të cekët cilësinë e marrëdhënieve që duhet të krijojë me njerëzit, duke u bërë gjithnjë e më tepër i rrezikshëm. Vetë teorizimi në territore sterile, larg problemeve reale të qytetit, po e bën gjithnjë e më të pamundur dëgjimin e muzikës që këto qytete krijojnë vetë.

Sa për projektin e stadiumit, ajo që nuk merr vëmendje në përgjigjen e arkitekt Casamontit edhe pse jashtë kopetencës së tij, është çështja e garës, konkurimit, pjesëmarrjes, e cila i jep porositësit mundësisë për të përzgjedhur—mundësi që po t’ja heqësh është njësoj si ta detyrosh në “sadomasokisëm”. Unë nuk njoh në fushën e krijimit në natyrë dhe në arkitekturë mënyrë më të mirë për të shkuar drejt të përsosurës sesa “sasia”, që të jep mundësi në fillim të përzgjedhësh dhe pastaj të zgjedhësh. Një prototip që nuk ka kaluar në seleksion nuk mund të pretendojë të jetë më i miri. Edhe ne që debatojmë tani jemi rezultat i përzgjedhjes.

Por, i dashur mik, ti mund të më thuash se edhe Bosio e bëri këtë vepër pa konkurs. Po, e kuptueshme se Bosio ishte më afër pushtetit se të tjerët dhe për këtë, ajo (vepra) do të mbartë kurdo me vete dyshimin se nuk është më e mira, por, tani për tani, është e vetmja qe kemi dhe mund ta quajmë edhe të mbijetuar. Megjithatë, besoj fort se po të kishte patur konkurs, ne tani në Tiranë ndoshta do kishim nje Casa del Fascio nga Terragni dhe jo Universitetin e sotëm të Bosio-s. Por, të siguroj se edhe në atë rast do e kishit shumë të vështirë të projektonit Stadiumin; madje jam i sigurt se nuk do ishim fare duke bërë këtë debat por duke shijuar arkitekturën e Terragnit, apo pse jo dhe të Michelucci-t.

Tani po i marr edhe unë me radhë:

1. Arkitekt Casamonti e quan të gabuar dhe të vjetër nocionin e “mbipopullimit” në qytetin e ri europian dhe menjëherë më pas i referohet nocionit të “dendësimit” si një tendencë e qëndrueshme. Por, më duhet të them se “dendësimi” nuk është baraz me “mbipopullim” që unë them. Ajo që unë kam vënë në gojë të Levi-Strauss është ekzaktësisht “mbipopullimi”, këto dy koncepte ai i dallon qartë dhe mendoj se edhe në italishte egziston ky dallim, si në sasi dhe në ngjyrim dhe ky për mua nuk është një gabim kulturor por intelektual. Në rastin e Stadiumit nuk bëhet fjalë për dendësim por për superpopullim të zonës. Edhe një herë më duhet ta përsëris dhe nuk e kuptoj pse arkitekt Casamonti nuk e pranon se Brasini e Bosio e vunë në Periferi.

Unë nuk kundërshtoj dendësimin e qytetit (megjithëse duhet shoqëruar me një infrastrukturë perfekte komunikimi, përndryshe të kthehet ne bumerang), por mbipopullimin e tij dhe sidomos kur ky bëhet në mënyrë të çrregullt, pra një Qendër e superpopulluar dhe të tejngopur me aktivitete dhe të një Periferie të etur të lënë pas dore, si dy qytete të ndryshme të ndarë nga një mur Berlini i padukshëm. Po të dilni jashtë unazës së parë të Tiranës do keni mundësi ta konstatoni. Prandaj unë them se është një arsye më tepër që Stadiumi të ikë nga ai vend si një fillim që e mira të shpërndahet në mënyrë kapilare në qytet dhe kjo ndihmon qëndrueshmërinë, sepse nuk mund të funksionojë një pjesë nëse nuk funksionon e tëra, thoshte Khan.

Dhe, duke referuar sa u tha më sipër, arkitekt Casamonti interpreton keq citimin tim “se qyteti i së ardhmes”, pra, periferia gjendet rreth “qytetit të së tashmes”, pra, qendrës, ose qëllimisht e përdor në mënyrë metafizike të gabuar figuracionin për të thënë se nuk krijohet një trup i unifikuar. Është pikërisht kjo ajo që fraza ime kërkon të arrijë: domethënë se ajo që duhet të përbëjë punën e së ardhmes në arkitekturë duhet të jetë periferia, pra Fronti, që qyteti të arrijë unifikimin e vlerave.

Ju thoni se na duhet një qytet i qëndrueshëm, ku arti e kultura të jenë bashkë (me vend), ku njerëzit të ecin në këmbë nga teatri te muzeu, nga universiteti te stadiumi. Po nëse këto i përqëndrojmë vetëm tek Bulevardi Dëshmorët e Kombit sepse aty është vlera më e madhe e tokës, ata që janë në periferi, ku gjendja është e mjerueshme dhe të bukurën jo vetëm nuk e kanë por edhe nuk e kanë njohur kurrë, pra këta të shkretë, ku do të lëvizin në këmbë?

2. Arkitekt Casamonti bën një ngatërresë midis simbolikës makiaveliane të “sheshit” që përfaqëson njerëzit dhe “pallatit”që janë pushteti, që në Tiranën që jetojmë do të simbolizonte zënien e sheshit nga pallatet. Kjo është ajo që kam dashur të them dhe kaq. Këtë ai e anashkalon dhe e transporton në nivelin e analizës në hapësirë dhe kulturë.

Nga ana tjetër është e vërtetë se unë nuk mund të imagjinoj sheshin Signoria pa pallatin Governo, por nuk mund të imagjinoj se ju mund të propozoni të vini një sfond prapa Loggia dei Lanzi se përndryshe në Firence do ishit non grata. Besoj se ju fiorentinët e keni ende të freskët propozimin e Isozakit për “Nuova Uscita della Galleria degli Uffizi” dhe hezitimin për zbatimin e saj, që nis që më 1998 dhe që po ta krahasojmë me problemin tonë do të dukej qesharak. Unë e di dhe e kam shkruar, që një shesh përbëhet nga ndërtesat që e rrethojnë dhe jo metrat katrorë të sipërfaqes, por nëse i lëvizim njërën apo disa nga to ai nuk është më sheshi që kishim, pra dhe as e njëjta dhomë-shesh Albertiane dhe më tej në rastin tonë, sheshi “Italia” do bëhej sheshi i Casamonti-t dhe jo ai i Bosio-s; këtu ndahemi, se unë dua të dytin.

Ndërsa argumenti se Stadiumi kërkon të korrigjojë gabimet e mëparshme, është një metodë që besoj nuk ka nevojë për kritikë se është e kritikuar që sapo ka dalë, një rregullim me botox mbi një gabim të mëparshëm me botox. Sipas kësaj llogjike nëse edhe Stadiumi na del një gabim atëhere që të ristabilizojmë rendin e gjërave duhet të ngremë një mal betoni tjetër afër tij!! Ndërkohë që gjërat që na bëjnë keq thjesht prishen, kjo është logjika europiane.

3. Në këtë pikë arkitekt Casamonti më kritikon se unë ngatërroj idenë e perspektivës së de Chiricos të teorizuar si Memoria Dechirichiane me tapetin Hollivudian. Përsëri e vendosni rendin e gjërave si ju intereson. Nëse ju kuptoj mirë ju pretendoni se tapeti i kuq mes kollonave të rektoratit do na çojë në “Memorie” të de Chiricos, i cili për të qënë të vërtetë asnjëherë nuk e ka aprovuar transportimin e “arkitekturave“ të tij në aktivitetin projektues modern, duke e paralajmëruar si diçka të dështuar. Nuk e di pse ju e adaptoni atëhere?

Kjo mund të thuhet edhe për Bosion, por qëllimi im nuk ka qënë fare të hyj në këtë analizë. Arkitektura shpesh është më e lehtë të kuptohet, të nuhatet, apo të dëgjohet se sa të shpjegohet dhe kur e zura me gojë dhe e krahasova de Chiricon me kompleksin e Bosios doja të nënvizoja tërësinë e ndjenjave të këtyre shqisave që për mua quhet ATMOSFERË, kaq e thjeshtë është, pra kisha parasysh “atmosferën” që krijon ky kompleks që më kujton de Chirico-n dhe më duket PARADOKSALISHT E BRISHTË dhe për këtë jam i bindur se çdo shtesë, qoftë edhe në sfondin e saj, do e dëmtojë rëndë—nuk jam dakord me ju dhe këtu mendoj se jeni ju kontraktidor.

Unë gjykoj se të krijosh nje “atmosferë” sot në arkitekturë është shumë e vështirë dhe ndodh rrallë, ku një në njëmijë ia del dhe është një nga ato “esencat” që jo të gjithë parfumet i kanë. Në epokën e sotme të sipërfaqesorës, të isterisë informative, të dukjes dhe jo të brendisë, të lëvizjes dhe të përkohshmërisë, mua kjo më duket një gjë shumë e vyer. Është ky parfum që bënte që këmbët të më shkonin vetë në vitet kur isha adoleshent e më mbrapa, kur bënim “xhiron” e darkës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kur të gjithë e ndërprisnin atë diku tek ish “Komiteti Qendror”, të shkoja tek ky shesh dhe ishte kjo aromë që më bënte të rrija aty me shoqërinë time, deri në orët e vona nganjëherë edhe pa folur me njëri tjetrin (che atmosfera!).

Jam i sigurt se ishte kjo që, në mënyrë të pandërgjegjshme, më shtiu në mend të nisja rrugën si arkitekt, dhe këtë ia di për nder travertinit të Bosios. Prandaj e gjithë ajo që shoh në projektin tuaj edhe pse, e përsëris, mundohem ta shoh me sytë e mi të adoleshencës, nuk më bind. Më duket sa e huaj edhe e parë, por mbi të gjitha më duket e madhe, shumë e madhe për atë kompleks, që në fakt, për ne është më i madhi dhe do bëhët më i vogli nëse do i vihet ajo masë që shoh në “rendering”. Do jetë njësoj sikur Kompleksin ta çojmë në Brobdingnag-un e Guliverit dhe Bosio me kompleksin e tij do i përkisnin një bote tjetër, një përmase tjetër, por mesa duket është e vërtetë ajo që thoni ju, se ëshë çështje “kulturore”. Më poshtë mund të lexoni një pjesë nga Udhëtimet e Guliverit:

“…Këtë tokë tokë, një gadishull i bashkangjitur perëndimit të Amerikës, banorët e të cilit janë të larta rreth 22 metra, Gulliver e eksploron në udhëtimin e tij të dytë. Mbreti i Brobdingnagut, pasi dëgjoi tregimet e Gulliver në lidhje me qeveritë evropiane , i përshkroi evropianët si “raca më e rrezikshme e parzitëve të vegjël të urryer që janë zvarritur ndonjëherë në sipërfaqe të Tokës.”

Nga kjo fjalë ka lindur mbiemri brobdingnagian, që do të thtoë i madh, gjigand, i përdorur për të trguar si njerëzit dhe objektet….”

Numri “22” është rastësi, po ju mund ta zëvendësoni edhe me 22 mijë tifozët në shkallët e stadiumit, që nuk e di a do ia hedhin sytë më shume travertinit të Bosios dhe, si unë dikur, ndonjëri do të nxitet të bëhet arkitekt, apo do bëjnë “selfie” te tapeti i kuq, pa e kuptuar fare se janë në perspektivën qëndrore “Memoria dechirichina” me shpresën për tu bërë “yll kinemaje”?

4. Sa për vendndodhjen, që ju e mbroni se duhet të jetë si në planin origjinal të Bosios, mendoj dhe po e përsëris edhe një herë se ai vend nuk është më periferia e Tiranës së 1940-ës, por tashmë Centro di Gravita Permanente për qytetin dhe, sikurse e thoni ju vetë, pikërisht për këtë nuk mund të qasë një Stadium, sado i bërë mirë. Ju e dini se në klasifikimin poetik që i bën Paul Valery ndërtimeve, thotë se ka ndërtesa që heshtin, të tjera që flasin, e disa të tjera që këndojnë. Unë mendoj, se ky stadium do të ulërasë.

Prandaj le të ndërtohet më larg, për shembull në zgjatimin e bulevardit te ri (dhe do t’i bënte mirë asaj zone). Nga ana tjetër, stadiumi i vjetër i çliruar nga stresi për t’u bëre “diçka” me nxitim (e thashë, në arkitekturë nguti është punëprishës) jam i bindur se edhe pas një konkurimi dhe morie të shumëllojshme idesh, me qetësi do të mund të gjenim diçka se ç’mund të bëhet, një tip të përzgjedhur, ”eccellent”, që të kishte konsensusin e të gjithëve ne, edhe të Bosios, bile edhe të atyre që nuk kanë lindur ende.

Unë mendoj se kështu qyteti do të kish fituar një betejë të vogël dhe të madhe, që do i përmirësonte pak jetën qytetarëve por më tepër do i rriste harmoninë dhe besimin se ky Qytet i goditur rëndë mund të bëhet.

E gjitha sa po debatojmë në fakt është e pavlerë për sa kohë që për Stadiumin e Bosio-s është ulur gishti poshtë. Por si tifoz i futbollit që jam, i kësaj loje, të mrekullueshme, të zgjuar, inteligjente, që dikur luhej vetëm nën dritën e diellit dhe sot edhe të projektorëve, një lojë magjike sepse të bën të ëndërrosh bile deri në sekondën e fundit se mund të fitosh edhe përballë ekipeve që vlejnë qindra milionë, pra edhe unë do të shpresoj dhe ëndërroj që ky stadium të mos bëhet në atë vend. Do të ishte gabimi i madh që ky stadium t’i shtohej këtij bulevardi siç ju shtuan kullat Binjake dhe hotel Sheratoni.

Kjo ka qënë nxitja që më shtyu për të shkruajtur e jo për të bërë polemikë bezdisëse. Në fund të fundit edhe fitorja e Davidit u vendos atëhere kur po dukej se po fitonte Golia. Por edhe nëse ndodh e kundërta unë përsëri do të shkoj në këtë stadium për të parë futbollin, por gjithmonë duke patur para syve stadiumin e travertintë të Gherardo Bosio-s.

 

Artikuj të lidhur:

Stadiumi dhe një histori me fiorentinë në tokën e shqiptarëve

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>