Gjykata e Strasburgut ka rrëzuar padinë e parë nga një magjistrat i shkarkuar nga vetingu.
Duke gjykuar padinë e Altina Xhoxhajt, Gjykata e Strasburgut ka vlerësuar se organet e vetingut në Shqipëri janë krijuar në mënyrë të ligjshme.
“Pasi arriti fillimisht në përfundimin se neni 6 zbatohej vetëm në aspektin civil të tij, Gjykata çmoi se organet e vetingut ishin ngritur dhe formuar në mënyrë të ligjshme dhe kishin qenë « gjykatë e krijuar me ligj », për shkak të bazës ligjore mjaftueshmërisht të qartë “
Gjykata u shpreh se nuk ka shkelje te procesit të rregullt ligjor dhe se KPK dhe KPA kishin vepruar në përputhje me ligjin në rastin e Xhoxhajt.
Ky është vendimi i parë ndaj procesit të vetingut.
Xhoxhaj, e shkarkuar nga vetingu, ankimoi vendimin për shkarkim të KPK-së dhe KPA-së në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Gjyqtarja Xhoxhaj pretendon se ka pasur shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut gjatë procesit të vetingut nga Komisioni Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit.
Altina Xhoxhaj u shkarkua nga detyra më 3 maj 2018 për shkak të problemeve me pasurinë. Vendimi u mor nga trupa e KPK-së Etleda Çiftja, Brunilda Bekteshi e Genta Bundo.
Gjyqtarja Xhoxhaj u shkarkua nga detyra sepse bashkëjetuesi i saj në vitin 2003, periudhë në të cilën nuk ka qenë i lidhur me gjykatësen, ka blerë me kursimet e veta një aparatment, të cilin në vitin 2005 pas daljes së hipotekës e ka regjistruar në emër të të dyve si pasojë e fillimit të bashkëjetesës.