Përdorimi i shumtë i masës së sigurisë ‘arrest me burg’ dhe shkelja e të drejtat e njeriut gjatë qëndrimit në burg, janë gjetjet kryesore të studimit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
KShH raporton se monitorimet e kryera gjatë këtyre viteve janë vërejtur shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tilla si keqtrajtime fizike ose psikologjike në momentet e arrestimit në flagrancë, të ndalimit, të shoqërimit apo gjatë marrjes në pyetje në organet e policisë etj.
Në kundërshtim me standartet ndërkombëtare, që kërkojnë përdorimin e masës së sigurisë, arrest me burg, kur çdo masë tjetër është e papërshtatshme, institucionet e drejtësisë në Shqipëri e përdorin atë gjerësisht. Deri në janar të 2019 janë 2268 persona ose 40.6% të paraburgosur dhe 3033 persona ose 54.3% janë të dënuar.
KShH evidenton se mbajtja e një të paraburgosuri ka një kosto tepër të lartë për buxhetin e shtetit. Të dhënat tregojnë se kostoja ditore e shpenzimeve për mbajtjen e një të paraburgosuri gjatë vitit 2019 është 2,910 Lek të reja. Kostoja totale financiare në buxhetin e shtetit, për akomodimin e personave të paraburgosur në vendin tonë për vitin 2019, është rreth 2.29 miliard Lek (të reja).
Studimi evidenton se se një pjesë e individëve të paraburgosur i përkasin grupeve në nevojë, të cilat përballen me vështirësi të shumta të natyrës sociale-ekonomike. Një pjesë e këtyre indivdëve janë paraburgosur për vepra penale që nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore.