Të paktën nëntë persona kanë humbur jetën dhe dhjetra të tjerë janë plagosur si pasojë e shpërthimit të një makine-bombë në Kabul, kryeqytetin e Afganistanit.
Ministri i Brendshëm Masoud Andarabi u tha gazetarëve se gjatë sulmit u plagosën rreth 20 të tjerë, përfshirë dhe një deputet, Khan Mohammad Wardak.
Ministri i brendshëm shtoi se numri i viktimave mund të rritet më tej.
Sulmi me bombë ndodhi ndërsa autokolona e deputetit po kalonte përmes një kryqëzimi në lagjen Khoshal Khan të Kabulit. Shpërthimi preku dhe automjetet civile përreth, si dhe dëmtoi ndërtesat dhe dyqanet pranë.
Askush nuk mori menjëherë përgjegjësinë për sulmin.
Presidenti afgan Ashraf Ghani tha se Talibanët duhet të ndalojnë dhunën ndaj civilëve dhe të pranojnë një armëpushim, për të lehtësuar procesin aktual të paqes.
Grupi i Shtetit Islamik ISIS ka marrë përgjegjësinë për sulmet e shumta në kryeqytetin e Kabulit muajt e fundit, por deri tani nuk ka pranuar përgjegjësinë për sulmin e së dielës.