Parisi në terror: 128 të vdekur nga sulme terroriste

Të paktën 128 persona janë vrarë dhe 260 janë plagosur në një seri sulmesh terroriste në qendër të Parisit, të premten në mbrëmje. Rreth 100 prej të plagosurve janë në gjendje kritike për jetën.

Një numër ende i paditur terroristësh, ndërmorrën sulme me armë dhe eksploziv në gjashtë pika të ndryshme të Parisit, në një interval kohor prej rreth dy orësh duke filluar rnë orën 21:30. Sulmet me armë automatike dhe eksplozivë kishin në objektiv qytetarët e rastësishëm në mjedise publike. Të paktën 7 terroristë kanë shpërthyer eksplozivë në akte kamikaze.

Sulmi më i përgjakshëm ndodhi sallë e koncerteve, Paris Bataclan, ku u vranë rreth 80 persona. Fillimisht terroristët kanë hyrë në sallë dhe kanë qëlluar me armë automatike duke vrarë 15 persona dhe marrë peng qindra të tjerë. Mbas rrethimit nga policia, tre terroristë shpërthyen eksplozivë që kishin në trupin e tyre duke shkaktuar dhjetra viktima të tjera dhe qindra të plagosur.

Një grup tjetër i terroristëve sulmuan tarracën e një restoranti popullor duke qëlluar direkt mbi qytetarët e pranishëm, duke vrarë rreth 20 prej tyre.

Në një tjetër sulm, terroristët hapën zjarr me kallashnikov ndaj kalimtarëve në një rrugë me restorante duke vrarë rreth 15 persona.

Tre shpërthime të veçanta eksplozivësh në afërsi të stadiumit Stade de France, shkaktuan një të vdekur dhe dhjetra të plagosur.

Nuk dihet ende me siguri se kush qëndron mbrapa këtyre sulmeve dhe shkaku i shënjestrimit të Parisit. Një postim në Twitter ka pohurar se sulmet janë vepër e ISIS, por ky pretendim nuk është verifikuar.

Ky është sulmi më i përgjakshëm terrorist në historinë e Francës. Në janar të këtij viti, dy terroristë të lidhur me Al-Kaedën sulmuan redaksinë e revistës Charlie Hebdo duke vrarë 11 punonjës të revistës dhe plagosur dhjetra të tjerë.

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>