Sulmi ajror i SHBA në Kabul vrau anëtarin e ISIS-K në automjetin e mbushur me eksploziv

Nga Exit News
Sulmi ajror i SHBA në Kabul vrau anëtarin e ISIS-K në automjetin e mbushur me eksploziv

Zyrtarët amerikanë tani kanë konfirmuar se një sulm ajror me dron ka goditur një anëtar të dyshuar të grupit ISIS-K brenda një automjeti me të cilin synonte të kryente një sulm terrorist në aeroportin e Kabulit.

“Ne jemi të bindur se kemi arritur objektivin që synonim,” tha një zyrtar ushtarak për rrjetin CBS në SHBA.

“Raportet fillestare tregojnë se nuk kishte viktima civile,” tha zyrtari, duke shtuar se “shpërthimet dytësore nga automjeti treguan praninë e një sasie të konsiderueshme të materialit shpërthyes.”

Një zëdhënës i talebanëve tha gjithashtu se sulmi ajror amerikan kishte shënjestruar një terrorist të dyshuar që udhëtonte me një makinë, sipas Associated Press.

Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan deklaroi më vonë se SHBA do të vazhdojë të kryejë sulme në Afganistan, kundër grupit ISIS-K duke theksuar nga ana tjetër se presidenti Biden “nuk ka ndërmend të fillojë një luftë të re”.

“Po, ne do të vazhdojmë të ndërmarrim sulme në distancë siç bëmë gjatë fundjavës kundër komplotuesve të ISIS-K. Dhe po, ne do të konsiderojmë operacione të tjera që do të shkojnë pas këtyre djemve, për t’i nxjerrë jashtë fushës së betejës ”, tha Sullivan.

ISIS-K është dega në Afganistan e grupit xhihadist të Shtetit Islamik, i cili mori përgjegjësinë për sulmin në aeroportin e Kabulit të enjten që la 170 viktima, mes tyre 13 pjestarë të forcave të SHBA.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>